Medvedev: Rusia mund të ankeksojë Osetinë Jugore dhe Abkhazinë
Nënkryetari i këshillit rus të sigurisë Dmitri Medvedev tha se Moska mund të aneksojë rajonet separatiste të Gjeorgjisë, Osetinë Jugore dhe Abkhazinë.
“Ideja e bashkimit me Rusinë vazhdon të ketë popullaritet në Abkhazi dhe Osetinë e Jugut,” shkruan ish-presidenti Medvedev, në një artikull të botuar të mërkurën herët nga gazeta “Argumenty I Fakty”.
“Ka shumë mundësi të zbatohet nëse ka arsye të mira për një gjë të tillë,” shprehet zoti Medvedev, i cili është shfaqur si një nga zërat më të ashpër politikë të Rusisë që kur forcat e saj filluan agresionin ndaj Ukrainës në shkurt 2022.
Moska njohu pavarësinë e dy rajoneve në vitin 2008, pas përpjekjes së Gjeorgjisë për të rimarrë kontrollin e Osetisë së Jugut që solli si rezultat një kundërsulm rus.
Edhe pse marrëdhëniet e Rusisë me Gjeorgjinë janë përmirësuar që atëherë, zoti Medvedev akuzoi Perëndimin se ka krijuar tensione lidhur me atë vend, duke konsideruar anëtarësimin e saj të mundshëm në NATO.
“Ne nuk do të presim nëse shqetësimet tona bëhen më konkrete,” shkruan zoti Medvedev në artikullin që shënoi 15 vjetorin e njohjes nga Rusia të pavarësisë së dy rajoneve, duke iu referuar një aneksimi të mundshëm.
Zyrtarët gjeorgjianë kanë thënë në mënyrë të përsëritur se janë të përkushtuar t’i bashkohen aleancës ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara që do të ruante integritetin territorial të vendit.
Rusia shpalli në shtator të vitit të kaluar aneksimet e katër rajoneve të Ukrainës, Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia, por asnjë nga aneksimet nuk njihet ndërkombëtarisht./VOA
Fraksion.com