AktualitetBota+Të fundit

DW: Gjermanët nuk u besojnë më institucioneve të tyre të shtetit

Gjermania njihej si një vend ku qytetëtarët mbështesin institucionet. Por duket se ato kohë kanë kaluar. Sipas një sondazhi, vetëm 27 % e qytetarëve besojnë se shteti është në gjendje të bëjë mirë punën e tij.

Mosmbajtja e orëve të mësimit për shkak të mungesës së mësuesve në shkolla, bashkitë që nuk kanë më ku të strehojnë refugjatët, pritjet e përjetshme për zgjatje apo lëshim dokumentesh dhe më në fund një bilanc katastrofik vonesash në hekurudhë: lista e problemeve të shtetit gjerman është e gjatë. Kjo ndikon në disponimin e qytetarëve. Një studim i publikuar këtë javë tregoi se vetëm 27 për qind e qytetarëve të anketuar besojnë se shteti është në gjendje të bëjë punën e tij. Ndërsa 69 për qind besojnë se institucionet shtetërore janë të mbingarkuara dhe se kryerja e detyrave për të cilat qytetarët paguajnë taksat është përtej mundësive të tyre.

Numra të frikshëm

“Numrat janë të frikshëm,” thotë Ulrich Silberbach, president i Shoqatës Gjermane të Nëpunësve Civil (dbb), i cili autorizoi studimin. Ai thotë se “peshku qelbet nga koka” dhe kritikon stilin e keq të qeverisjes së koalicionit të tanishëm. “Në zyrën e kancelarit kemi një person që thotë se qytetarët do të kenë udhëheqje nëse duan të kenë të tillë. Por duket se qytetarët e perceptojnë ndryshe këtë”, kritikon kreu i sindikatës së punonjësve të qytetit dhe shton: “Pakënaqësinë ndaj strukturave në pushtet e ndjejnë në radhë të parë nëpunësit civilë”.

Sa i besojnë qytetarët kancelarit Olaf Scholz?
Ka probleme Olaf Scholz me drejtimin e vendit?Fotografi: Kay Nietfeld/picture alliance/dpa

Ata nga ana tjetër presin mbështetje nga qeveria në kryerjen e punës së tyre të përditshme. Kjo përfshin kryesisht më shumë punonjës, paga më të mira dhe investime në digjitalizimin e administratës publike, e cila ka mbetur prapa vendeve të tjera të zhvilluara. “Vendimi i qeverisë për të ulur fondet për digjitalizimin nga 377 në 3,3 milionë euro është një sinjal krejtësisht i gabuar”, përfundon Silberbach.

Problemi më i madh – refugjatët

Një vështrim më i detajuar i sondazhit tregon se qytetarët janë veçanërisht të pakënaqur me mënyrën se si po tratjohet problemi i refugjatëve. 26 për qind e të anketuarve mendojnë se ky është problemi më i madh i shtetit, i cili po shfrytëzohet nga krahu i djathtë radikal politik, kryesisht nga partia Alternativa për Gjermaninë (AfD). Kjo parti po përfiton politikisht nga tema e refugjatëve, e cila është shndërruar në problem të madh jo vetëm në lindje por edhe në pjesën perëndimore të Gjermanisë. Qytetarët e perceptojnë ruajtjen e drejtësisë sociale në shoqëri si detyrën më të rëndësishme të shtetit. Lufta kundër ndryshimeve klimatike, që qeveria aktuale e rendit si detyrën më të rëndësishme, nuk është më aq e rëndësishme për qytetarët.

Ndarja në Lindje dhe Perëndim

Alice Weidel: AfD në rritje...
AfD në rritje…Fotografi: Carsten Koall/picture alliance/dpa

Por Manfred Güllner, drejtor i Institutit Forsa, i cili kreu këtë studim të opinionit publik, beson se sondazhi tregoi gjithashtu dallime të mëdha në prioritetet e detyrave shtetërore kur bëhet fjalë për pjesët perëndimore dhe lindore të vendit. Investimi në luftën kundër ndryshimeve klimatike është shumë më i rëndësishëm për qytetarët në Perëndim sesa në Lindje të vendit ku çështjet sociale kanë prioritet. “Këto lloj dallimesh shkaktojnë frikë”, thotë Güllner.

Partia AfD, si kritiku më i madh i qeverisë së Olaf Scholzit, po përjeton së fundi një rritje të madhe të popullaritetit në lindje të vendit. Për votuesit e AfD-së, lufta kundër ndryshimeve klimatike nuk luan asnjë rol. Ndërsa për votuesit e partisë ekologjiste, të cilët kryesisht jetojnë në Perëndim të vendit dhe në qendrat urbane, investimi në standardet mjedisore është detyra më e rëndësishme e shtetit.

 

Fraksion.com