Stuhia tropikale “Hilary” godet Kaliforninë me shira përmbytëse
Stuhia tropikale Hilary shkaktoi shira përmbytëse në Kaliforninë jugore dhe në Nevada, ndërsa meteorologët paralajmërojnë për kushte katastrofike dhe kërcënuese për jetën nga stuhia e rrallë, ndërsa ajo po lëvizë në brendi të vendit.
Shërbimi Kombëtar Meteorologjik amerikan u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë jashtë rrugëve në zonën e Los Anxhelosit, për shkak të përmbytjeve të rrezikshme.
Shumë nga zonat në rrugën e stuhisë, e cila pritet të dobësohej pasi qendra e saj u zhvendos në Nevada më vonë të hënën, nuk janë mësuar të shohin llojin e tillë të reshjeve të lidhura me një stuhi tropikale.
Parashikuesit thanë se disa zona të shkretëtirës mund të përfundojnë me një shkallë prej 12 deri në 25 centimetra shi.
“Në disa zona në shkretëtirë, kjo vlen sa për një vit”, tha Alex Tardy, një meteorolog i lartë i Administratës Kombëtare të Oqeanit dhe Atmosferës në San Diego, në një konferencë me gazetarë. “Reshjet normale në Kaliforninë Jugore dhe San Diego nuk janë asgjë në gusht. Pra, një ngjarje shumë e pazakontë po shpaloset këtu”.
Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për t’u përballur me pasojat e stuhisë.
Presidenti amerikan Joe Biden tha se administrata e tij është e gatshme për të ofruar ndihmë për Kaliforninë, Nevadën dhe Arizonën.
Stuhia çoi në anulimin e fluturimeve në Los Anxhelos, San Diego dhe Las Vegas, ndërsa shkollat në Los Anxhelos dhe San Diego janë mbyllur.
Stuhia e fundit tropikale që goditi Kaliforninë ndodhi në vitin 1977.
Stuhia tropikale “Hilary” arriti të dielën në gadishullin Baja California të Meksikës./voa
Fraksion.com