Darka në Athinë: Zelensky për herë të parë në Greqi, liderët e Ballkanit me Mitsotakis, të pranishëm Von der Leyen e Charles Mishel. Mungon Rama
Është mbajtur mbrëmjen e sotme Samiti në Athinë me liderët e Ballkanit Perëndimor, organizuar nga kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.
Darka u zhvillua në Megaros Maximos, mes të pranishmëve ishin edhe Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel, si edhe presidenti ukrainas Volodymir Zelensky.
Në fokus të darkës informale ishte zgjerimi dhe e ardhmja europiane e rajonit, në kuadër të 20-vjetorit të Samitit BE-Ballkani Perëndimor po ashtu edhe të “Deklaratës së Selanikut”.
Në këtë takim mungoi ftesa ndaj kryeministrit Edi Rama. Arsyeja sipas zëdhënësit të qeverisë greke ishte bërë çështja e Fredi Belerit.
Ndërsa nga ana tjetër presidenti Bajram Begaj refuzoi të marrë pjesë
Arrestimi i Fredi Belerit për blerje votash ka ndikuar në përkeqësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, tha ndër të tjerë në një intervistë të zhvilluar më herët zëdhënësi i qeverisë greke, Pavlos Marinakis.
Liderët që po marrin pjesë:
Përveç krerëve të institucioneve evropiane Ursula von der Leyen dhe Charles Michel, si dhe Volodymyr Zelensky, në darkë marrin pjesë:
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç,
Presidentja e Moldavisë Maia Sandu,
Presidenti i Malit të Zi Jakov Milatovic,
Kryeministri i Rumanisë Ion-Marcel Ciolacu,
Presidentja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës Borjana Kristo,
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovacevski,
Kryeministri i Bullgarisë Nikolai Denkov,
Kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviç.
Çfarë u diskutua mes Zelenskyt dhe Mitsotakis:
Kryeministri grek zhvilloi një takim privat në Pallatin Maximos me presidentin e Ukrainës, Volodymir Zelenskyn.
Mitsotakis shprehu mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë për luftën e Ukrainës duke u shprehur se krimet e luftës të kryera në Ukrainë duhet të ndëshkohen nga drejtësia ndërkombëtare.
Po ashtu njoftoi se ai dhe presidenti Zelensky nënshkruan një deklaratë të përbashkët për kursin euroatlantik të Ukrainës.
“Ne jemi bashkëudhëtarë dhe përkrahës të vendit. Solidariteti ynë ka ekzistuar që në fillim dhe do të vazhdojë”, ka thënë ai.
Volodymyr Zelensky ka zhvilluar vizitën e tij të parë zyrtare në Greqi dhe e para që nga pushtimi rus i Ukrainës.
Fraksion.com