Koncesioni i sterilizimit: Si u krye mashtrimi!
Rreziku i largimit nga Shqipëria për tiu shmangur hetimeve, ka qenë argumenti kryesor me të cilin SPAK ka kërkuar në gjykatë, arrestimin e ish-zv.ministrit të shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit fitues të koncesionit të sterilizimit, Ilir Rrapaj ky i fundit i akuzuar për mashtrim me pasoja të renda.
Gjykata çmon se ekziston rreziku që personat nën hetim Ilir Rrapaj dhe Klodian Rrjepaj të largohen duke iu shmangur drejtësisë. Është për t’u përmendur fakti që këta persona në të shumtën e kohës qëndrojnë jashtë shtetit dhe nuk ndodhen në Shqipëri sipas sistemit TIMS. Këta persona janë me mundësi të larta financiare, mund të largohen lehtësisht nga territori shqiptar për të jetuar jashtë shtetit. Në këto rrethana rreziku i largimit dhe i fshehjes është tepër i lartë.
Ndër të tjera, në vendim evidentohet fakti se veprat penale për të cilat akuzohen dy të arrestuarit kanë një marzh dënimi 7 dhe 10 vjet burgim. Vendimi i gjykatës Erion Bani, i dhënë në datën 23 qershor, citon ndër të tjera, se hetimet kanë nisur mbi bazën e kallëzimit të Nisma Thurje dhe mjekut Artan Koni. Për biznesmin Ilir Rrapaj ne vendim thuhet se ai ka mashtruar për kompaninë aktivitetin si dhe fitimin e tyre.
Miqësia e ngushtë e Rrapajt me Rjepajn e Beqjan që u mbajt e fshehur
Sipas të dhënave prokuroria e fajëson biznesmenin se ka mashtruar edhe per faktin se nuk ka patur njohje me zyrtaret e ministrisë së Shëndetësisë ndërkohë që ka rezultuar e kunderta. Sipas hetimeve të Prokurorisë biznesmeni Ilir Rrapaj ka qenë shok fakulteti, universiteti me ish-zv.ministrin e Shëndetësisë Klodian Rjepaj me të cilin ka kryer udhëtime para dhe pas lidhjes së koncesionit.
Ky fakt, sipas Gjykatës dhe Prokurorisë përbën konflikt të fortë interesi për të cilin është mashtruar shteti shqiptar, sepse një raport i tillë duhet ta kishin deklaruar përpara se të lidhej koncesioni dhe se mund të përbënte shkak për përjashtimin e kompanisë nga koncesioni.
“Personi që ka patur kontakte të vazhdueshme gjatë gjithë kësaj periudhe me Autoritetin Kontraktor Ministrinë e Shëndetësisë është shtetasi Ilir Rrapaj, i cili edhe pse nuk ka mbajtur ndonjë detyrë publike dilte jashtë shtetit me makinën në pronësi të Ministrisë së Shëndetësisë me targa TR4112R, drejtuar nga shoferi i Zëvendës Ministrit të Shëndetësisë” shkruhet në dosje.
Sipas prokurorisë, referuar ligjit për koncesionet, dhe prokurimet, faza e përgatitjes së studimit të fizibilitetit është bërë në kushtet e konfliktit të interesit, duke qenë se ka marrë pjesë Ilir Rrapaj dhe zv.ministri Klodian Rrjepaj në hartimin e gjithë dokumentacionit. Një situatë e tillë e konfliktit të interesit, sipas SPAK, përbën shkak për skualifimimin e subjektit nga gara.
Konkretisht, në momentin e dorëzimit të dokumenteve, pronari i“Investital LLC” Ilir Rrapaj, ka konsumuar veprën e mashtrimit, pasi ka plotësuar formularin ku shprehet se nuk është në kushtet e konfliktit të interesit me asnjë nga anëtarët e Komisionit.
Nga ana tjetër, prokuroria thekson se nga kqyrja e sistemit TIMS, lëvizjet e automjetit, hyrje-daljet në kufi dhe akte të tjera, del se biznesmeni ka pasur njohje dhe raporte të vëzhdueshme me Zv.ministrin Klodian Rrjepaj dhe ministrin e shëndetësisë, Ilir Beqja.
Si u frynë kostot e koncesionit në studimin e fizibilitetit
Një tjetër akuzë e SPAK, në dosjen e sterilizimit, është falsifikimi i dokumenteve. Sipas hetimit, zyrtarët e përfshirë në hartimin e dokumentacionit dhe negocimin e kontratës, kanë fryrë në mënyrë fiktive, kostot e koncesionit në studimin e fizibilitetit. Konkretisht, sipas prokurorisë, ata kanë futur medikamente dhe artikuj që nuk kanë qenë të nevojshëm për këtë procedurë.SPAK evidenton dëm ekonomik kur i referohet edhe raporteve të KLSH-së që ka evidentuar se shteti, kishte qendrën Kombëtare të Sterilizimit, e cila nëse do vihej në funksionim, do ta realizonte procesin me kosto më të e ulët, konkretisht 960 milionë lekë për gjithë vendin.
Ministria e Financave, në një raport të vitit 2020 për zbatimin e kontratës koncesionare për sterilizimin vë në dukje se risku i financimit është marrë përsipër nga buxheti duke paguar rreth 5 milionë euro më shumë vetëm për vitin 2018.
Në projektbuxhetin e vitit 2020, Ministria e Financave raportoi se vlera totale e kontratës për koncesionin e sterilizimit do të arrijë në 16.5 miliardë lekë, nga 10 miliardë lekë që ishte raportuar në buxhetin e vitit 2018.
Sipas raportit, pagesat për kontratën realizohen sipas skemës (pay x use), ndaj tejkalimi në nivel vjetor i numrit të ndërhyrjeve të planifikuara ka sjellë kostot shtesë për buxhetin e shtetit. Ministria e Financave thekson se niveli i ndërhyrjeve i parashikuar në kontratë ishte 62 957, ndërkohë që vetëm për vitin 2018 janë realizuar 117 000 ndërhyrje”./shqiptarja.com
Fraksion.com