AktualitetEkonomiTë fundit

Ulen çmimet e qumështit me shumicë deri në 15%, pak reflektim te pakica

Çmimet e grumbullimit të qumështit me shumice tek fermat blegtorale janë ulur që nga prilli 2023 me 12-15 për qind, por kjo ulje në lëndën e parë nuk është reflektuar dukshëm në produktet finale në supermakete.

Sot në zonën e Fierit dhe Beratit një kilogram qumësht po blihet nga fermat e mëdha me 80 lekë me TVSH nga 90 që ishte në 6 mujorin e parë të vitit 2022. Ndërsa çmimet e blerjes tek fshatarët dhe blegtorët e vegjël janë ulur edhe më shumë në deri në 13 lekë për litër. Tani grumbullimet janë nga 65-70 lekë për litër nga 80 lekë që ishin vitin e kaluar.

Por teksa çmimet e lëndës së parë janë ulur me 12-15 %, kjo nuk është reflektuar dukshëm në shitjen pakicë. INSTAT raporti se një litër qumësht në korrik 2023 ishte 14% më të lartë se në korrik të vitit të kaluar.

Gjithashtu janë ulur edhe kostot operacionale nga ulja e çmimeve të karburanteve dhe energjisë elektrike, të cilat janë pjesë e rëndësishme e kostos finale tek përpunuesit.

Tregjet shqiptare vuajnë nga mungesë e elasticitetit në rastet kur lëndët e para dhe çmimet e importit ulen. Vitin e kaluar pas luftës në Ukrainë çmimet u rriten menjëherë në të gjitha produktet sidomos në ato ushqimore, për shkak se vendet e përfshira në konflikt ishin furnitorët më të mëdhenj të tregut botëror me ushqime dhe energji.

Mirëpo brenda vitit situata u stabilizua dhe çmimet për një seri produktesh shënuan ulje, të cilat nuk po reflektohen në tregun vendas me të njëjtat ritme. Fondi Monetar Ndërkombëtare në një analizë për inflacionin në Ballkan vërejti se çmimet në Ballkan e ndjekin shumë shpejt kurbën e rritjes, po nuk ndodh kështu kur ato ulen.

Çmimet e larta të bulmetit u shtynë edhe nga kriza që po përjeton sektori i blegtorisë. Numri i bagëtive të qumështit po pëson vitit pas viti ulje me ritme dyshifrore e për rrjedhojë në treg janë krijuar mungesa të lëndës së parë, të qumështit. Kriza e blegtorisë e ka bërë Shqipërinë një nga vendet me çmimet më të larta të bulmetit në Europë.

Çmimet e bulmetit dhe vezëve ne Shqipëri ishin sa 111.7 për qind e mesatares se vendeve të Bashkimit Europian ose e thëne ndryshe nëse 1 kilogram nga këto produkte në BE kushton mesatarisht 100 lekë në Shqipëri kushtoi 111.7 lekë me 2022.

Shqipëria u rendit në mesin e 14 vendeve europiane me çmimin me të lartë të bulmetit vitin e kaluar.

Tre vitet e fundit në shumë vende të Europës çmimet shënuan rënie në krahasim me mesataren e BE-së, por në Shqipëri kishte rritje.

Me 2020 çmimi i bulmetit dhe vezëve në vendin tonë ishte sa 105 % e mesatares se BE-së, por në dy vitet e mëvonshme u rrit edhe me 6.8 pikë përqindje./monitor

 

Fraksion.com