Teprica e likuiditetit, depozitat e qeverisë pranë BSH arritën vlerën e 1.4 miliardë eurove
Teprica e likuiditetit të qeverisë shqiptare ka arritur rekorde të reja këtë vit.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, vlera e depozitave të qeverisë pranë bankës qendrore në fund të muajit korrik kishte vlerën e 146.8 miliardë lekëve ose më shumë se 1.4 miliardë eurove.
Gjendja e llogarive të qeverisë ka pësuar një rënie të lehtë krahasuar me rekordin historik prej 157 miliardë lekësh të qershorit, por është në rritje me 49% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Teprica e lartë e likuiditetit në llogaritë e qeverisë shqiptare është e lidhur kryesisht me suficitin e konsiderueshëm buxhetor dhe me huamarrjet në avancë dhe të përqendruara, siç ishte Eurobondi i fundit i shitur në tregjet financiare ndërkombëtare.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në mesin e këtij viti suficiti i buxhetit kishte vlerën e 46.2 miliardë lekëve, tre herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Suficiti buxhetor është rritur për shkak të rritjes më të madhe të të ardhurave buxhetore në raport me shpenzimet.
Ashtu siç është tipike për shpenzimet buxhetore dhe sidomos për ato kapitale, pjesa e parë e vitit karakterizohet nga një ecuri e ngadaltë dhe deficiti i planifikuar vjetor shpenzohet kryesisht në muajt e fundt të vitit.
Madje, vitin e kaluar kjo tendencë u theksua edhe më shumë, kur i gjithë deficiti i planifikuar vjetor u shpenzua në muajin dhjetor. Të dhënat e këtij viti tregojnë se tendencat janë të ngjashme dhe suficiti është zgjeruar në mënyrë të vazhdueshme, të paktën deri në fund të 6-mujorit të parë.
Ndërkohë, në qershor të këtij të vitit të kaluar qeveria shqiptare siguroi një Eurobond prej 600 milionë Eurosh. Ky Eurobond do të përdoret pjesërisht për të shlyer para afatit një pjesë të Eurobondit që maturohet në vitin 2025 dhe pjesërisht për të financuar deficitin buxhetor.
Përveç Eurobondit, edhe huamarrja e brendshme në dy tremujorët e parë të vitit ka qenë ndjeshëm më e lartë se planifikimi fillestar, për një shumë totale në vlerën e 33.6 miliardë lekëve. Ministria e Financave ka shfrytëzuar kushtet e favorshme të tregut të instrumenteve të borxhit të qeverisë, që këtë vit është karakterizuar nga një kërkesë e lartë e investitorëve dhe tendencë në rënie e yield-eve.
Praktika e krijimit të tepricave të likuiditetit është kritikuar herë pas here nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, me argumentin se kjo krijon shpenzime të tepërta për interesa të borxhit.
Megjithatë, Ministria e Financave e mbron këtë praktikë, sepse ajo mundëson shfrytëzimin e kushteve të favorshme të tregjeve për huamarrje, por edhe një shpërndarje më të barabartë gjatë vitit.
Nëse huamarrja do të ndiqte ecurinë e shpenzimit të deficitit buxhetor, ajo do të përqendrohej kryesisht në muajt e fundit të vitit dhe kjo do të krijonte zhbalancime në tregun e brendshëm financiar, përveçse do ta vështirësonte sigurimin e shumave të kërkuara të huasë nga qeveria./Monitor
Fraksion.com