Francë: Nis zhvarrosja e ushtarëve gjermanë të Luftës
Puna për zhvarrosjen e trupave të rreth 46 ushtarëve gjermanë të kapur dhe më pas të vrarë nga luftëtarët francezë të rezistencës në qershor 1944 gjatë Luftës së Dytë Botërore, ka filluar pranë fshatit francez të Meymac-ut.
Ekzistenca e varrit u zbulua për publikun nga një ish-luftëtar i rezistencës 98-vjeçari, Edmond Reveil, qëllimi i deklaruar i të cilit është t’u kthejë trupat familjeve të tyre, nëse është e mundur.
Edmond Reveil shprehu trishtimin e tij të madh për këto pushkatime, të cilat ndodhën kur ai ishte vetëm 19 vjeç. Sipas deklaratave të tij, ai nuk ka vrarë asnjë nga ushtarët vetë.
“Ishte një krim lufte. Ne nuk kishim të drejtë të vrisnim të burgosur,” i tha ai gazetës lokale La Montagne majin e kaluar.
Bashkëpunim franko-gjerman
Ekspertët francezë që punojnë në vend përfitojnë nga asistenca teknike e Komisionit Gjerman të Varrezave të Luftës. Puna pritet të zgjasë deri në fund të gushtit.
Ekzekutimi i ushtarëve gjermanë dhe i një bashkëpunëtori të dyshuar francez u bë pas disa mizorive të kryera nga trupat gjermane në zonë.
Njëmbëdhjetë trupa të ushtarëve gjermanë janë gjetur tashmë në Meymac në vitet 1960.
Kryetari i bashkisë së Meymac-ut, Philippe Brugere, i tha agjencisë franceze të lajmeve AFP se qëllimi ishte “të zhvarroseshin eshtrat e ushtarëve gjermanë që janë harruar në këtë vend për 80 vjet” dhe “të ktheheshin në Gjermani dhe mbi të gjitha për aq sa është e mundur, për familjet e tyre”.
Çfarë ndodhi në Meymac në 1944?
Në qershor të vitit 1944, pas zbarkimit të aleatëve në Normandi, luftëtarët francezë të rezistencës pushtuan qytetin Tulle në Francën qendrore, ku sipas Reveil morën 55 robër, njëri prej të cilëve u qëllua për vdekje në përpjekje për të ikur.
Por të nesërmen, më 9 qershor, qyteti, i vendosur rreth pesëdhjetë kilometra nga Meymac, u rimor pa luftë nga ushtarët gjermanë SS.
SS iu përgjigj masivisht veprimeve të luftëtarëve të rezistencës, varën 99 burra nga Tulle të zgjedhur rastësisht, më pas kryen një tjetër masakër në qytetin relativisht të afërt të Oradour-sur-Glane, ku u masakruan 643 banorë.
Luftëtarët e rezistencës nuk kishin më ku t’i mbanin të burgosurit, por kishin frikë t’i lironin, sepse mund të hakmerreshin sërish ndaj popullatës franceze.
Ushtarët gjermanë u dërguan në një hambar, ku disa u liruan. Sipas Reveil, më pas u dha urdhri për të qëlluar të tjerët në një zonë të pyllëzuar, një urdhër që ai thotë se u dha nga komanda aleate në Saint-Frejoux aty pranë.
Vendndodhja e varrit u zbulua muajin e kaluar përmes testimit të tokës./DW
Fraksion.com