Minuta tmerri në det të hapur: Dy skafe me 12 persona në bord rrezikojnë të mbyten në Velipojë e Bisht Pallë, shpëtohen nga policia kufitare
Minuta tmerri në det të hapur për 12 persona që kanë rrezikuar jetën pasi mjetet e tyre kanë pësuar defekt dhe janë përplasur me shkëmbinjtë.
Njëri nga mjetet lundruese (me 8 pasagjerë, 3 prej tyre të mitur) pësoi defekt në mes të detit, në Vilun, Velipojë, ndërsa mjeti tjetër lundrues (me 4 pasagjerë) u përplas me gurët dhe rrezikoi të fundosej në vendin e quajtur “Bishti i Pallës”, Durrës.
-Shërbimet e Policisë Kufitare Shëngjin dhe të Policisë Kufitare Velipojë, pas njoftimit nga një shtetas se mjeti lundrues skaf me të cilin ai po lundronte bashkë me 7 shtetas të tjerë, kishte pësuar defekt në plazhin e Vilunit, dhe e kishte të pamundur të dilte në breg të detit, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë, me një mjet lundrues të Policisë Kufitare.
Brenda disa minutash, shërbimet e Policisë Kufitare kanë lokalizuar mjetin lundrues skaf që kishte pësuar defekt në mes të detit dhe kanë nxjerrë në breg të detit, 8 pasagjerët e këtij mjeti lundrues, 3 prej të cilëve ishin të mitur.
-Gjithashtu, shërbimet e Policisë Kufitare Durrës kanë marrë njoftim se një tjetër mjet lundrues skaf me 4 pasagjerë, ishte përplasur me disa gurë në vendin e quajtur “Bishti i Pallës” dhe rrezikonte të fundosej pasi kishte futur ujë.
Menjëherë pas njoftimit, në adresën e dhënë kanë shkuar shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësia Policore Detare, bashkë me një mjet lundrues të Policisë Kufitare. Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar mjetin lundrues që po rrezikonte të fundosej në det dhe kanë ndërhyrë menjëherë duke nxjerrë në breg me mjetin lundrues të Policisë Kufitare, 4 pasagjerët e mjetit lundrues skaf.
Të gjithë pasagjerët e 2 mjeteve lundruese skafe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore. Ata kanë falënderuar shërbimet e Policisë, për gatishmërinë dhe ndihmën e ofruar.
Shërbimet e Policisë Kufitare ftojnë çdo qytetar/pushues që gjendet në nevojë që lidhet me detyrat funksionale të Policisë së Shtetit, të kërkojë ndihmë, dhe ndërhyrja nga shërbime të specializuara për secilin rast, do të jetë e menjëhershme.
Fraksion.com