AktualitetTë fundit

“Shkëmbim zjarri në Maliq”, policia: RENEA ekzekuton 62-vjeçarin, plagosi gruan e djalin dhe qëlloi mbi policinë

8 orë negociata nuk arritën ta bindnin Ramiz Muçollarin të dorëzohej tek forcat RENEA. 62-vjeçari, i cili që prej orës 23:00 të së premtes qëndronte i mbyllur në banesën e tij, u ekzekutua pas shkëmbimit të zjarrit që pati me efektivët e forcës elitë të policisë.

Më herët, ai plagosi gruan, Pëllumbeshën, 58 vjeçe me thikë në këmbë, ndërsa djalin, Kamberin, 27 vjeç me mjet të fortë në kokë. Ata ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën. Kur në banesën e tij në fshatin Qesarake shkoi policia lokale e Maliqit, Muçollari hapi zjarr.

“Shtetasi Ramiz Muçollari, pas plagosjes së dyfishtë  u mbyll në banesë dhe nuk iu përgjigj thirrjes së Policisë Vendore për t’u dorëzuar, por ka qëlluar me armë zjarri (mitraloz të lehtë) në drejtim të tyre”, njoftoi policia.

Duke parë situatën e rrezikshme, drejt vendit të ngjarjes u nisën me urgjencë forcat speciale RENEA. Këta të fundit morën nën kontroll perimetrin e afërt të sigurisë, ndërsa policia lokale u pozicionua në perimetrin e largët të sigurisë. Kjo për shkak të rrezikshmërisë së lartë. Banesa ku qëndronte Muçollari të çonte në rrugën nacionale Korçë-Maliq, por edhe se lagja është me shumë shtëpi.

Negociatat me 62-vjeçarin vijuan përgjatë gjithë natës me thirrje të pandërprera për t’u dorëzuar. Por 62-vjeçari nuk u bind. Ai vijoi të qëllojë me armë zjarri.

Mëngjesin e sotëm, efektivët e RENEA-s mund të hynin deri në katin e dytë të banesës së Muçollarit. Ky i fundit ishte ngjitur në papafingo. Sapo ka parë efektivët ka hapur zjarr në drejtim të tyre, duke ua rrezikuar seriozisht jetën.

Policia njofton se ka patur shkëmbim zjarri që ka zgjatur për një orë. Si pasojë, 62-vjeçari ka humbur jetën.

“Forcat Speciale “RENEA”, në zbatim të plotë të procedurave standarde janë kundërpërgjigjur me zjarr dhe përreth një orë ka vijuar shkëmbimi i zjarrit. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, 62-vjeçari ka humbur jetën”, njoftoi policia.

Sipas edhe deklarimeve të familjarëve, Ramiz Muçollari vuante nga problemet e shëndetit mendor. Vetëm disa orë para plagosjes së gruas e djalit, ai ka qenë me ta për vizitë në spitalin psikiatrik. Mirëpo nuk është shtruar në spital. Në mbrëmje, kur janë kthyer në banesë, ka nisur konfliktin me familjarët që çoi deri në vdekjen e tij.

Në vendin e ngjarjes, pjesa më e madhe e mjeteve të policisë janë larguar për t’u lënë radhën ekspertëve të kriminalistikës dhe atyre mjeko-ligjorë.

Për këtë ngjarje kanë folur edhe fqinjët. Ata u shprehën se Muçollari ishte një njeri i qetë. Sipas dëshmisë së tyre kanë qenë problemet me djalin që kanë agravuar përplasjen.

“Siç më thanë ata që janë më afër kishte goditur të shoqen me thikë, të birin me qytë të armës së tij. Pastaj filluan armët”, tha një fqinj.

“Ka qenë shumë i qetë. Ka pasur shqetësime mendore më përpara, por po bën 6-7 vjet përpara. Tani ishte mirë e bukur. Shqetësimi i fundit ka qenë tani në fund fare, nuk e di çfarë ka pasur me të birin. Unë s’mund të rri me të, por siç llafos njerëzia, lozte kumar, drogë, nuk e di. Shqetësimet i ka pasur nga i biri”, u shpreh fqinji, i cili pohoi se ai ka pasur marrëdhënie shumë të mira me të gjitha banorët.

“Nuk bënte shamatë, ka qenë njeri i qetë. Në lagjen tonë hera e parë që ka ndodhur diçka e tillë”, shtoi ai


Reagon ministri i Brendshëm: Policia zbatoi ligjin

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, reagoi menjëherë pas lajmit se forcat speciale RENEA eliminuan fizikisht Ramiz Muçollarin, 62-vjeçarin që hapi zjarr ndaj tyre dhe plagosi gruan e djalin. Balla shprehet se Policia e Shtetit zbatoi ligjin. Po ashtu, ai siguroi se çrrënjosja e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje është një detyrë kryesore.

Taulant Balla: Mirënjohje forcave RENEA dhe atyre të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë për kryerjen e detyrës gjatë gjithë natës së mbrëmshme deri sot në mëngjes në Maliq edhe në kushtet e kërcënimit për jetën, sepse thirrjeve të Policisë së Shtetit, shtetasi që kërkohej të ndalohej, ju kundërvu me përdorimin e armës ndaj policisë. Në këto rrethana përcaktimet ligjore janë të qarta dhe Policia e Shtetit zbatoi Ligjin.

Dua ta siguroj publikun se çrrënjosja e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje është një detyrë kryesore. Çdo grua, çdo vajzë duhet të ketë besimin se telefonata e saj tek Policia është vendimi i duhur që sjell çlirimin nga makthi dhe fitoren e ligjit mbi padrejtësinë dhe dhunën.

 

Fraksion.com