AktualitetPolitikëTë fundit

Veliaj: Impianti i ujit në Bovillë, trefishim të kapacitetit të prodhimit

Pas përfundimit të fazës së parë të punimeve për rritjen e kapaciteteve prodhuese të impiantit të përpunimit të ujit në Bovillë, duke e çuar aftësinë prodhuese në total 2400 l/s, po realizohet edhe faza II dhe përfundimtare me një kapacitet shtesë prej 1200 l/s.

Pas përfundimit të kësaj faze impianti i përpunimit të ujit në Bovillë do të ketë maksimumin e prodhimit të tij, në 3600 l/s.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se kjo është vepra që ka pësuar transformimin më të madh, pasi Tirana, e cila po rritet çdo ditë, e ka pasur të nevojshme një investim të tillë prej vitesh.

“Janë ditë gushti, kur njerëzit janë të fokusuar te pushimet, ndërsa ata pak që kanë qëndruar në Tiranë janë edhe më të ndjeshëm për çështjen e ujit, ndaj e gjykova të udhës që, edhe qytetarët ta shohin me sytë e tyre se çfarë po ndodh në impiantin më të madh dhe me veprën që ka pësuar transformimin më të madh në historinë 103-vjeçare të Tiranës kryeqytet. Tirana e ka pasur të nevojshme prej vitesh një vepër të tillë, kështu që, ky është një moment jo për të kthyer kokën pas dhe për të thënë se përse nuk u bë në gjithë ato vite, por për të parë qytetin që kemi në sfond. Këtu jemi në kodrën e Paskuqanit, ndërkohë qyteti që kemi në sfond është një Tiranë që rritet dhe zhvillohet. Dallohen siluetat e kullave dhe lagjet e pafundme të rritura të Tiranës. Kjo do të thotë se do duhet të mbajmë hapin e qytetit që rritet,” deklaroi ai.

Veliaj nënvizoi edhe faktin se nga një situatë humbjesh të mëdha në rrjet e vjedhjesh të ujit, sasia e ujit që shkon në çezmat e familjeve në kryeqytet po trefishohet.

“Më vjen mirë që, nga një impiant ku shumica e ujit vidhej dhe praktikisht, në vend që uji të shkonte në drejtim të Tiranës, shkonte në drejtim të Paskuqanit, apo tek ata që e merrnin ujin për të bërë lavazhe, sot jemi në një situatë krejt tjetër. Praktikisht, kemi një linjë të dedikuar të padepërtueshme, të paçarë, që ka eliminuar humbjet në rrjet. Ardhja e dedikuar e ujit, pa asnjë humbje, na krijon mundësi që tani të kemi depozitat më të mëdha që ka pasur ndonjëherë Tirana. Sa për të dhënë një ide të atyre që kuptojnë pak nga volumetria, e gjetëm me 1200 m3 ujë/sekondë para shumë vitesh, kaluam në 1800, në 2400 dhe do të mbarojmë me 3600 m3 ujë/sekondë. Pra, praktikisht kemi trefishuar sasinë e ujit që vjen në Tiranë,” u shpreh kreu i bashkisë.

Në këtë vepër po punohet paralelisht edhe me ndërtimin e depos së ujit, e cila ka një volum prej 30 000 m3.

“Hapi i parë ishte dedikimi i linjës nga Bovilla; hapi i dytë janë këto megadepozitat – gjysma ka mbaruar, gjysma tjetër është drejt fundit; hapi i tretë, shtrirja kapilare, ajo që kemi bërë, rrjeti nëpër lagje, ku shumë qytetarë pyesin: ‘Pse nuk mbushet ky kanal’. Arsyeja është sepse bëjmë matjet e presionit dhe sigurohemi që i gjithë rrjeti e ka kaluar testin, është kolauduar, përpara se ta fusim formalisht në rrjetin tonë të ujit. Hapi i fundit do të jenë unazat e presionit. Po ashtu, si një depozitë e kësaj natyre ushtron presion barik në të gjithë sistemin për të furnizuar Tiranën me ujë në katet më të larta të kullave, ashtu edhe në zona, sidomos në zonat fundore, aty ku le të themi, disa abonentë janë tek fundi i linjës, unazat e presionit krijojnë pak a shumë të njëjtën dukuri, ushtrojnë presion që edhe në pikat më fundore të kemi ujë të rrjedhshëm”, nënvizoi Veliaj.

Kreu i bashkisë tha se “Tirana edhe pse e ka sot ujin më të lirë se sa Kamza, Pogradeci e Korça, jo vetëm është menaxhuar siç duhet nga kompania, por po përfundojnë edhe investime të rëndësishme, që nuk ndodhnin në 103 vjet të Tiranës kryeqytet’.

“Fakti që sot kemi 1/10 e ankesave për ujin e pijshëm dhe në pjesën më të madhe ka të bëjë në fakt me administratorin e pallatit, që ndonjëherë ikën me pushime pa rregulluar pompën dhe depozitën, por janë cicmice të vogla me të cilat jemi ambientuar të menaxhojmë përditë. Fakti që shumica kanë të bëjnë me probleme të vogla lokale të atij pallati dhe të atij administratori dhe jo me sistemin e  përgjithshëm të ujit, është vërtet një kompliment i madh dhe një arritje e jashtëzakonshme. Megjithatë, ambicia ime është që as kjo 1/10 e ankesave të mos ekzistojë. Kjo do të thotë se do duhet që verën tjetër të përgatitemi ta vëmë totalisht në punë. Një Tiranë nga 1200 m3/sek, ta çojmë në 3600 m3/sek, e cila do t’i japë pastaj mjaftueshëm ujë, që edhe unaza dhe presioni të japin efektin e tyre, është Tirana që ne ëndërrojmë”, tha Veliaj.