AktualitetRajoniTë fundit

Milorad Dodik akuzohet për kundërshtimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar për Bosnjën

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Bosnjës dhe Hercegovinës ngriti të premten akuzë kundër presidentit pro rus të Republikës Serbe, Milorad Dodik, si dhe kundër drejtorit të gazetës zyrtare të këtij entiteti, Milosh Lukiç, për veprën penale të moszbatimit të vendimeve të përfaqësuesit të lartë në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt.

Akuza pasoi hyrjen në fuqi të dy ligjeve të nënshkruara nga Milorad Dodik; njëri që i bën të pavlefshme vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës në Republikën Serbe dhe tjetri që parandalon publikimin në Gazetën Zyrtare të këtij entiteti të vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar.

Më 1 korrik, Schmidt i anuloi këto ligje të miratuara nga Asambleja Kombëtare e Republikës Serbe dhe vendosi ndryshimin e Kodit Penal të Bosnjës dhe Hercegovinës, në mënyrë që veprimet të cilat cenojnë rendin kushtetues të vendit të trajtohen si vepër penale.

Ambasada amerikanenë Sarajevë tha se akuzat kundër Milorad Dodikut dhe Milosh Lukiçit “janë një hap i rëndësishëm në zbatimin e shtetit ligjor, i cili është themelor për çdo demokraci. Ligjet e Bosnjës dhe Hercegovinës vlejnë për të gjithë qytetarët. Asnjë individ nuk qëndron mbi ligjin. Ne kërkojmë nga institucionet e Bosnjës dhe të gjithë qytetarët që të respektojnë proceset përkatëse të përfshira në zbatimin e atyre ligjeve”, thuhet në një deklaratë të ambasadës amerikane.

 

Me 31 korrik departamenti amerikan i Thesarit shpalli sanksionimin e katër zyrtarëve serbë të Bosnjës për miratimin e ligjeve që u përfshinë në akuzën e sotme, duke i cilësuar ato kërcënim për qëndrueshmërinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Bosnjës e Hercegovinës dhe paqen e arritur me vështirësi të mbështetur nga Marrëveshja e Dejtonit.

Pas luftës së viteve të 90-ta, që la pas vetes mbi 100 mijë të vrarë, Bosnja u nda në dy entitete autonome, Republika Serbe dhe Federata e dominuar nga boshnjakët dhe kroatët, të lidhura nga një qeveri e dobët qendrore në Sarajevë./VOA
Fraksion.com