AktualitetPolitikëTë fundit

“Jemi çliruar nga stigma”, sezoni turistik, Rama për “La7”: Nuk është një sekret, është një punë e bërë me shumë pasion

Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për televizionin italian “La7”, u ndal te bumi i turizmit në Shqipëri, ndërsa u shpreh se “kemi arritur të çlirohemi nga stigma që mbanim në vitet 1990 kur shiheshim si një vend jo i sigurt”.

Pyetjes se cili është sekreti i sezonit të artë që po përjeton Shqipëria në turizëm, Rama iu përgjigj se është një punë e bërë me shumë pasion e durim vitet e fundit.

“Nuk është një sekret, është një punë e bërë me shumë pasion, me shumë durim në vitet e fundit, që mendoj se kemi arritur të çlirohemi nga stigma që na u ngjit në vitet 1990, kur shiheshim si një vend që nuk guxoje mbi të gjitha të shkoje, sepse ishte “një vend jo i sigurtë”, “një vend plot me kriminelë”, “me të varfër”. Ndërsa, për t’iu dhënë një shifër, që ndoshta nuk e dini, Shqipëria është vendi i fundit në Evropë për vjedhje banesash, sa për t’ju dhënë idenë e sigurisë, se pastaj për italianët, Shqipëria është shtëpia e tyre, pasi ne ndihemi italianë dhe ndihemi të lidhur me Italinë”, shpreh ai.

I pyetur mbi modelin e turizmit low-cost që ofron Shqipëria, Rama theksoi se low-cost është fillimisht, pasi në Shqipëri çmimet do të rriten, pasi është e natyrshme.

“Ne jemi shumë të vetëdijshëm se ky turizmi i masës sjell vetvetiu “punën e ambasadorëve” të vendit, që flasin mirë dhe na ndihmojnë për ta forcuar këtë imazh të ri, por ai ka edhe rreziqe të mëdha. Ne po punojmë për resorte që janë luksoze, po sidoqoftë do të na duhen vite. Pra kjo e sotmja nuk është zgjedhje, është një rrugëtim, e në këtë rrugëtim përfshihen edhe çmimet e ulëta”, tha Rama.

Kryeministri komendoi edhe postimin që ka nxitur shumë diskutime ku vendosen përballë dy ngjarje, anija “Vlora” me migrantët që zbarkonin në Bari në vitin 1991 dhe nga ana tjetër italianët që vizitonin Shqipërinë.

“Mbi të gjitha dua të them se jeni vendi i shumë gjërave të mrekullueshme. Tani në vend që ta merrni me pak humor, po e merrni çdo gjë seriozisht dhe po bëni polemika për çdo gjë. Në fakt ajo ishte një meme, dhe unë rashë në kurth, pasi ma dërguan dhe mendova se ishte vërtet ‘Corriere della Sera’ që e kishte bërë këtë meme për këtë situatë. Pastaj me të rinjtë e mi të rrjeteve sociale thamë le ta postojmë për të bërë një shaka, e pas kësaj pati polemika si në Shqipëri dhe në Itali. Në Itali thanë ironizova italianët, në Shqipëri thanë ironizova shqiptarët. Ky është një moment i lumtur i historisë sonë, prandaj le të qeshim me shakanë”, tha ai.

Rama theksoi se ne e shohim Italinë si shtëpinë tonë të madhe.

“Ne ju shohim gjithmonë si vendi ku ne bëjmë pjesë për një apo një tjetër arsye historike, kulturore, madje dhe prej ngjashmërisë pothuajse gjenetike, ne ndihemi pothuajse italianë. Në Itali ndihemi si në shtëpinë tonë, ne e duam Italinë, i duam italianët, dhe nuk na pëlqen t’ju shohim të vrenjtur, po të qeshur. Dhe Italia është më se e bukur, je i bekuar nga Zoti nëse je italian dhe jeton në atë vend të mrekullueshëm”, shtoi ai.

 

Fraksion.com