Rama: Himara perla e bregdetit, pushuesit vlerësojnë shërbimet, sigurinë dhe pastërtinë e plazheve
Himara mbetet një destinacion i preferuar për pushuesit, qofshin këta shqiptarë apo të huaj, të cilët vlerësojnë në këtë sezon cilësinë e lartë të shërbimeve, pastërtinë e plazheve, sigurinë e shtuar dhe aktivitetet e larmishme.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale përshtypjet e disa turistëve që kanë zgjedhur për të pushuar në Himarë, perlën e bregdetit shqiptar, të cilët rrëfejnë përvojat e tyre fantastike.
“Unë shoh shumë video në Tik Tok dhe më ka pëlqyer se i kam pasion udhëtimet, prandaj vendosa të vij këtu për të festuar 20-vjetorin e shoqes time. Ushqimi është shumë i shijshëm më ka pëlqyer. Më kanë pëlqyer frutat e detit, ishin perfekte. Është shumë nxehtë, shumë më nxehtë se në Bullgari, por unë e pëlqej diellin kështu që nuk është problem”, u shpreh një turiste bullgare.
“Kemi dëgjuar gjëra të mira për Shqipërinë nga miqtë tanë që ishin këtu me kamper, të cilët na treguan për vende shumë të bukura, për detin që është shumë i bukur dhe njerëzit që janë shumë miqësorë. Vendi gjithashtu ka një kulturë shumë interesante. Është shumë i pastër, uji është shumë i pastër, por përveç kësaj mendoj që njerëzit kujdesen shumë për natyrën”, tha një tjetër turiste e huaj.
“Nuk mendoj se ka rrezik pasi varkat janë larg dhe ka një kordon sigurie. Uji është gjithashtu shumë i pastër, do të më pëlqente të vija përsëri. Unë ndejta këtu më gjatë ndërkohë që miqtë e mi u larguan. Më pëlqen shumë plazhi dhe doja ta shijoja më tepër. Do t’ua rekomandoja të gjithëve të vinin në Shqipëri t’i provonin këto plazhe sepse janë shumë të bukura dhe ja vlen koha e shpenzuar këtu”, u shpreh një tjetër turiste.
“Unë jam Gostivari dhe është hera e katërt që vij në Shqipëri. Sot është dita e katërt dhe vendosa të vij në Jalë sepse ma kanë lavdëruara Jalën shumë shokë dhe e kam parë në internet dhe qenka me të vërtetë shumë bukur. Mua më pëlqen uji, natyra dhe nuk ka diçka negative për të thënë, sinqerisht. Normal ndjehem i sigurt sepse roja është këtu dhe mjetet janë larg plazhit”, u shpreh një tjetër turist.
“Në Jalë kam një javë që pushoj, por ndër vite kam ardhur vazhdimisht. Jala është një nga plazhet më fantastike të jugut. Njerëzit janë shumë të mirë, sidomos fshatarët e Vunoit janë të përsosur. Qetësia është fantastike, ushqimi është shumë i mirë. Këta që kanë marrë plazhet me qera nga bashkitë janë munduar të bëjnë gjëra të bukura. Këtu pranë është roja i sigurisë së plazhit që qëndron vazhdimisht, por njëkohësisht edhe vija kufizuese e plazhistëve me mjetet motorike është e përcaktuar”, tha një tjetër.
“Shqipëria është një vend i mrekullueshëm, është akoma për t’u zbuluar nga shumë vende të botës. Por këto dy vitet e fundit shoh që ka marrë shumë jetë”, u shpreh një tjetër pushues.
“Përshtypjet janë shumë pozitive. Himara është shumë e bukur, shumë relaksuese. Shqipëria është një vend vërtetë i këndshëm dhe siguria është OK. Jemi ndjerë të sigurt kudo ku kemi qenë. Ndryshe nga Australia, këtu ka jetë të egër dhe gjërat janë në mes të rrugës, çka duket më argëtuese”, tha një turist australian.
“Në Holandë kishim një program televiziv ku kishte diçka për Shqipërinë dhe menduam, është një vend i bukur dhe vendosëm të vijmë këtu”, tha një turiste holandeze.
Fraksion.com