AktualitetRajoniTë fundit

Presidenti i Malit të Zi, Milatoviç propozon politikanin pro-perëndimor për postin e kryeministrit

Presidenti i Malit të Zi Jakov Milatoviç tha të enjten se do t’i propozojë parlamentit të Malit të Zi që kryetari i Lëvizjes “Europa Tani”, Milojko Spajiç të jetë kryeministri i ri dhe të formojë qeverinë e 44-të të Malit të Zi. Presidenti Milatoviç tha se, gjatë konsultimeve, zoti Spajiq është “mbështetur nga shumica e subjekteve politike që kanë gjithsej 44 vende në parlament”.

“Gjatë procesit të konsultimit kishte vetëm një propozim për mandatarin për përbërjen e qeverisë së 44-të të Malit të Zi dhe ai është përfaqësuesi i listës ‘Europa tani’, Milojko Spajiç. Ai u mbështet nga partia e tij dhe nga partnerët që kanë gjithsej 24 deputetë, Demokratët e Malit të Zi me shtatë deputetë, Partia Boshnjake me gjashtë deputetë, Partia Popullore Serbe me dy, Alternativa Shqiptare dhe Aleanca Demokratike, gjithashtu me dy deputetë, Bashkimi Demokratik i Shqiptarëve me një deputet dhe Partia Kroate me një deputet”, tha zoti Milatoviç në një konferencë për shtyp në Cetinë.

Presidenti i Malit të Zi shtoi se edhe “një numër i caktuar i subjekteve politike, në radhë të parë nga koalicioni ‘Së bashku për Ardhmërinë e Malit të Zi”, shprehën gatishmërinë për të mbështetur Spajiçin pas një marrëveshjeje të mundshme për qeverinë’”.

Zoti Milatoviç bëri thirrje për përgjegjësi nga zoti Spajiç dhe të gjithë aktorët pjesëmarrës në negociata, duke thënë se afati kushtetues për propozimin e programit dhe përbërjes së qeverisë fillon nga dita e caktimit të mandatit dhe zgjat 90 ditë.

Zoti Milatoviç thekson se Malit të Zi i duhet një “qeveri politike e qëndrueshme, me qasje të padiskutueshme europiane dhe reformuese”.

Ai deklaroi se procesi i konsultimit me subjektet politike ishte i mirë dhe se “ka një konsensus të të gjitha subjekteve për domosdoshmërinë e përshpejtimit të procesit të integrimit në BE, përmirësimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe përmirësimin e standardit të jetesës.”

“Forcimi i besueshmërisë së anëtarësimit të Malit të Zi në NATO është në krye të prioriteteve të parashikuara të shumicës së subjekteve politike dhe gjithashtu, nga bisedat që kam pasur, kam konstatuar se asnjë subjekt politik nuk e vë në dyshim anëtarësimin e Malit të Zi në NATO”, tha Milatoviç

Bashkimi Europian u ka bërë thirrje aktorëve politikë në Mal të Zi që të formojnë sa më shpejt parlamentin dhe qeverinë e re, ku siç thanë ata, “do të jenë në gjendje të nxisin reformat në lidhje me anëtarësimin në BE, sa më shpejt të jetë e mundur”.

Më 11 qershor në Mal të Zi u mbajtën zgjedhjet parlamentare, të cilat u vlerësuan si të lira dhe pa ndonjë parregullsi të theksuar nga vëzhguesit vendorë dhe ndërkombëtarë.

Lëvizja “Europa Tani”, e formuar vitin e kaluar, fitoi numrin më të madh të votave, 24 vende në parlament e ndjekur nga koalicioni i udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve, të ish-presidentit malazez Milo Gjukanoviç, partia e të cilit mbajti pushtetin mbi 30 vjet në Malin e Zi.

Mali i Zi i ka hapur të gjithë kapitujt në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Megjithatë si pasojë e krizës politike dhe institucionale, nuk ka pasur asnjë konferencë ndërqeveritare që nga dhjetori 2021 për shkak të përparimit të pamjaftueshëm në reformat e nevojshme për procesin e anëtarësimit.

Sipas parashikimeve të Lëvizjes “Europa Tani”, qeveria e re duhet të ketë 22 ministri dhe departamente dhe katër nënkryetarë.