Inceneratori i Tiranës i kalon në administrim AAPSK, Baçi: Bashkitë të zbatojnë detyrimet
Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, në Ministrinë e Brendshme, ka marrë në administrim pronat e zotëruara nga shoqëria “Integrated Energy BV SPV”.
Administratori Shtetëror i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara Arjan Baçi, në një komunikim për mediet, nga impianti i trajtimit të mbetjeve të Tiranës, u shpreh se, “ka një vendim të Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, që ka bërë sekuestron preventive të shoqërisë, e cila menaxhon mbetjet në landfillin e Sharrës, shoqëria është “Integrated Energy BV SPV”. Kjo Gjykatë ka vendosur që për menaxhimin e kësaj Shoqërie të merret zyra e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, që është në varësi të Ministrisë së Brendshme dhe administrator jam zgjedhur unë.
“Puna po vazhdon normalisht. Po ndiqen të gjitha kontratat që janë lidhur dhe po shihen të gjitha detyrimet e prapambetura që kompani të ndryshme kanë tek kjo shoqëri, me qëllim që të bëhet i mundur vazhdimi i ecurisë dhe trajtimin e mbetjeve urbane të qarkut të Tiranës”, tha ai.
“Një problematikë që pamë dhe nga informacionet e shpejta që kemi marrë është që bashkitë e qarkut të Tiranës janë akoma debitore tek kjo shoqëri. Po bëhet muaji i tretë që nuk kanë shlyer detyrimet. Por kemi filluar t’i kontaktojmë dhe t’i dërgojmë shkresat përkatëse për t’i vënë para përgjegjësisë që kemi një kontratë të lidhur, e cila duhet të zbatohet. Moszbatimi i kësaj kontrate do të sillte një kaos në menaxhimin e të gjithë mbetjeve urbane në qarkun e Tiranës”, u shpreh ai.
Fraksion.com