Balla viziton në spital efektiven e aksidentuar: Respektoni rregullat e qarkullimit rrugor
Ministri i Brendshëm Taulant Balla, ndërsa vizitoi nga afër efektiven e Policisë Rrugore, e cila u aksidentua të mërkurën në Vorë, garantoi se përkujdesja e tij si ministër do të jetë për të gjithë anëtarët e Policisë së Shtetit.
Sipas tij, fatmirësisht gjendja shëndetësore e punonjëses së Policisë është jashtë rrezikut për jetën.
“Bashkë me drejtorin e Policisë jemi duke parë këtu nga afër gjendjen shëndetësore të një prej punonjësve të forcë së sonë të policisë rrugore. Për fat të mirë gjendja shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën, por siç na thanë drejtuesit e spitalit të traumës do të vazhdojë kujdesi intensiv në orët në vijim. Ka patur disa dëmtime. Lajmi i mirë është që është jashtë rrezikut për jetën”, tha Balla.
“Dua ta them dhe njëherë, siç e kam theksuar që në ditën e parë të punës sime si Ministër. Ministri i Brendshëm është një prej të gjithë strukturës së policisë. Suksesi varet nga përkujdesja ndaj të gjithë punonjësve dhe të gjithë strukturës së policisë së shtetit. Siç jam sot këtu, do të jemi gjithmonë këtu, pranë punonjësve të Policisë”, tha Balla.
“Suksesi i misionit tim në krye të kësaj ministrie varet nga përkujdesja e të duke u kujdesur për secilin nga anëtarët e policisë së shtetit për të garantuar trajtim dhe mbështetje për secilin. Ka qenë rast aksidental, ajo ka mbërritur aty pasi ka ndodhur një aksident dhe më pas ka ardhur një automjet tjetër që e ka plagosur”, vijoi Balla.
“Ajo që dua t’i bëj një apel publikut, kemi nevojë edhe për mbështetjen dhe mirëkuptimin tuaj. Policia rrugore është aty për të siguruar sigurinë tuaj rrugore. Apeli është ju lutem respektoni rregullat e qarkullimit rrugor dhe gjithë parashikimet që ka kodi rrugor. Jemi aty jo për të vënë gjoba por për të ndërgjegjësuar ata që janë në timon”, tha Balla.
Një efektive e policisë së Qarkullimit Rrugor, Arta Shkurbi mbeti e plagosur paraditen e sotme, pasi është përplasur nga një makinë. Aksidenti u shënua në Vorë, rreth orës 10:30 minuta, në afërsi të një pike karburanti. Efektivja ishte në zonë pasi kishte ndodhur një aksident, por gjatë kohës që po kryente detyrën, një mjet tjetër e ka përplasur.
Fraksion.com