AktualitetKosovaNATO/BETë fundit

Osmani e kërkon ndihmën e SHBA-së për përshpejtimin e anëtarësimit të Kosovës në NATO

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka kërkuar ndihmën e Shteteve të Bashkuara (SHBA) për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), gjatë një takimi me senatorin amerikan, Jack Reed, të martën në Prishtinë.

Osmani tha më 8 gusht se SHBA-ja “nuk kanë aleate dhe mike më të madhe në rajon se sa Republikën e Kosovës”, duke e cilësuar popullin kosovar si “më proamerikan në Evropë dhe në botë”.

Pas takimit me Osmanin, Reed u prit edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili e falënderoi atë për “personalisht, për përfshirjen e Kosovës në Aktin fiskal të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të vitit 2024, që ia mundëson Kosovës të jetë pjesëmarrëse në ushtrime ushtarake të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të rritur ndërveprimin dhe përshtatshmërinë me trupat e NATO-s.”

Në një njoftim për media, zyra e kryeministrit tha: “Senatori Reed u shpreh falënderues për mikpritjen. Ai veçoi vendimin dhe vullnetin e Republikës së Kosovës për strehimin e qytetarëve afganë, duke shprehur mirënjohjen e tij. Ndër të tjerash, tha se mbështetja ndaj Kosovës në vitin 1999 ka qenë një nga veprimet më të çmueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që vlerësoi progresin që ka arritur Kosova dhe dha mbështetjen e tij për rezultatet pozitive.”

Osmani e falënderoi senatorin Reed, i cili është kryesues i Komisionit të Forcave të Armatosura në Senatin e SHBA-së, për mbështetjen e ShBA-ve për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), respektivisht përfshirjen e Kosovës në Asistencën e Trajnimit Ushtarak të SHBA-së me Ligjin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të vitit 2024.

”Kosova synon për anëtarësim në NATO dhe përfshirje në Partneritet për Paqe (PfP), ndaj është e rëndësishme edhe e domosdoshme mbështetja e SHBA-së në përshpejtimin e këtij procesi. Shpresa jonë është që Kosova të jetë sa më parë në PfP si hap që i paraprinë anëtarësimit në NATO”, tha Osmani.

Në lidhje me zhvillimet politike dhe të sigurisë, sipas njoftimit, presidentja theksoi e Kosova ka bërë hapa për shtensionimin e situatës në veriun e vendit, si dhe “ka vërë në dukje veprimet destabilizuese të Serbisë dhe bashkëpunimin e saj me Rusinë.”

“Ajo, po ashtu ka theksuar se Kosova është shtet multietnik, Kushtetuta e së cilës garanton nivel të lartë të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të të gjitha komuniteteve. Sipas Presidentes Osmani këto të drejta dhe liri, janë thelbi i vlerave të shoqërisë së Kosovës dhe si të tilla duhet të mbeten të paprekura”./REL

 

Fraksion.com