Rezervimet për jahte, më të gjata, rritet preferenca nga familjet
Teksa jahtet ishin një segment argëtimi që zinte vend kryesisht për periudha afatshkurta një apo dyditore dhe kryesisht nga grupet shoqërore, gjatë kësaj vere, rezervimet janë bërë më të gjata.
Kjo do të thotë që rastet kur një jaht merret me qira për 4-5 ditë apo një javë janë shpeshtuar dhe tani të interesuar janë edhe familjet ku vihet re një rritje e numrit të atyre që zgjedhin këtë mënyrë pushimi.
Smerald Bozaxhi, administrator i “Albania Yacht Charter”, pohon se pavarësisht se kufizimet e motit këtë vit sollën disa problematika, ritmi u kap shpejt dhe me shumë gjasa, turizmi do të vijojë fort deri në javën e parë të tetorit, nëse kushtet do ta lejojnë.
Sektori i turizmit ka pasur ecuri shumë të mirë me një nisje të mbarë që në fillim të vitit, të paktën për nga numri i vizitorëve. A është shfaqur kjo tendencë edhe te rezervimet e jahteve? Si ka qenë ecuria në pjesën e parë të vitit, duke pasur parasysh edhe kushtet e motit?
Në fakt, ky sezon ka filluar me një vrull kërkesash dhe rezervimesh që në tremujorin e parë të këtij viti dhe kërkesat më të mëdha kanë qenë kryesisht nga turistë të huaj.
Vihet re një tendencë edhe te pushuesit shqiptarë për të rezervuar dhe për të planifikuar më parë pushimet dhe kjo ka sjellë rritje të interesimit dhe rezervimeve për këtë industri që në muajt e parë.
Për sa u përket kushteve të motit nuk kanë qenë në favor të pushuesve, të cilët kanë zgjedhur që t’i bëjnë pushimet në jaht sepse moti i paqëndrueshëm dhe shumë shpejt i ndryshueshëm ka bërë që disa rezervime të riskedulohen ose të anulohen.
Nga ajo që shihni, si e prisni që të jetë sezoni i verës?
Pritet të jetë një ndër sezonet më të mira, duke u nisur nga kërkesa dhe interesimi. Vihet re një kërkesë e lartë nga të huajt për të pushuar dhe për të eksploruar bregdetin me jaht.
Tendenca për të rezervuar më herët na jep dhe ne një ndihmë të madhe për të menaxhuar kërkesat dhe për t’u siguruar që të përmbushen pritshmëritë e çdo pushuesi.
Mendoj se do të jetë një sezon që do zgjasë deri në javët e fundit të shtatorit dhe mbase dhe javën e parë të tetorit, duke shpresuar që dhe moti do jetë i favorshëm.
Si kanë ndryshuar kostot për marrjen me qira të një jahti, duke pasur parasysh zhvillimet që kanë imponuar këtë ndryshim, nëse ka pasur?
Duke konsideruar faktin që kostot janë rritur në çdo sektor të ekonomisë, do gjykoja që kostot për marrjen me qira të një jahti nuk kanë pësuar një ndryshim të madh.
Normalisht rritja e kostove të tërthorta në fund ndikon në shpenzimet e pushuesve, por përveç kësaj, kosto e drejtpërdrejtë e jahteve nuk ka ndryshim të madh, duke e krahasuar me vitet e mëparshëm.
Cila është kategoria që parapëlqejnë më shumë të marrin një jaht me qira (familje, çifte, grupe) dhe periudha mesatare?
Kategoria kryesore që preferojnë të marrin një jaht me qira kanë qenë gjithmonë grupe shoqërore (8-10 persona), por po vihet re një rritje e kërkesës dhe rezervimeve nga ana e familjeve.
Zakonisht, marrja me qira e një jahti shikohej si një opsion i veçantë ose diçka ndryshe dhe e re për të festuar një ngjarje, por ne po shikojmë që kjo tendencë po ndryshon drejt gupeve shoqërore, ose familjeve, për të marrë një jaht me qira për të pushuar më gjatë ose për të provuar një përvojë të re të pushuari.
Kjo po sjell që rezervimet të jenë më të gjata se një apo dy ditë dhe po shkojmë drejt rezervimeve 4-5-ditore apo javore (ka raste dhe më të gjata, edhe pse shumë më të pakta), por lajmi i mirë është që kjo po kthehet në një stil jetese, për këta pushues.
Cilat janë shtetësitë që kanë këta persona kryesisht dhe a vini re ndonjë grup që ka hyrë për herë të parë? (Për shembull, këtë vit në turizëm po vihet re një prani e lartë e spanjollëve, por edhe turistë nga Portugalia apo Brazili.)
Ky sezon ka pasur kërkesa nga pushues me shtetësi të ndryshme. Nëse do të veçoja ndonjë shtetësi, është SHBA (sidomos shqiptarët e Amerikës), Zvicra, Mbretëria Bashkuar, Gjermania dhe Italia më pak.
Cilat janë itineraret apo vendet që parapëlqehen më shumë gjatë këtij viti? Çfarë i befason më shumë për mirë dhe për keq turistët (për shembull shumica ankohen për mbetjet nëse i pyet kur vizitojnë vendin tonë në zonat malore apo qytete)?
Itineraret e parapëlqyera mbeten gjithmonë ato të Jugut të Shqipërisë.
Vija bregdetare nga Karaburuni deri në Sarandë dhe më pas duke zbritur më në Jug deri në ishullin e Tongos mbetet gjithmonë pjesa e preferuar si për pushuesit vendas, edhe për ata të huaj.
Gjiret dhe plazhet e Shqipërisë u lënë më shumë mbresa, të cilat nuk të zhgënjejnë asnjëherë, edhe ata të cilët nuk i shikojnë për herë të parë.
Përveç faktit të mungesës së infrastrukturës së këtij sektori, është vështirë të kesh përshtypje të këqija për bregdetin tonë nëse e shëtit me jaht ose mjet lundrues.
Tashmë ka disa projekte të mëdha marinash si ajo e Durrësit apo Vlorës. A e kanë rritur interesin për jahtet në përgjithësi në Shqipëri këto marina?
Sigurisht që po. Çdo projekt i ri është shumë i rëndësishëm për këtë industri. Marinat janë promotorët e parë në zhvillimin e industrisë yachting.
Sa më shumë marina të ndërtohen dhe sa më cilësore të jenë ato, aq më shumë zhvillohet industria yachting, aq më profesional dhe cilësor bëhet shërbimi dhe sigurisht ndikon në shtimin e drejtpërdrejtë të numrit të turistëve, të cilët kanë këtë stil jetese./monitor
Fraksion.com