EMS për DW: Duan të na nxjerrin jashtë Portit të Durrësit
Në fundin e muajit korrik, kompania gjermane EMS-Fehn-Group, e cila ka menaxhuar nga viti 2012 Terminalin Lindor të Portit të Durrësit, u bllokua në aktivitetin e saj të përditshëm. Edhe pse EMS ka fituar tenderin koncensionar 35- vjeçar për menaxhimin dhe operimin e kësaj pjese të portit, Autoriteti Portual i Durrësit vendosi aty blloqe betoni, mëngjesin e 29 korrikut. Veprimet u argumentuan me faktin se ka një plan të ri sigurie, në kuadër të zhvillimit të projektit “Durrës Marina & Yacht”.
DW: Kur ka nisur punën në Portin e Durrësit kompania EMS dhe çfarë kontrate keni pasur me institucionet shqiptare?
Florian Çimo: Gjatë procedurës së një tenderi ndërkombëtar të hapur nga qeveria shqiptare në vitin 2012, kompania gjermane EMS-Fehn-Group fitoi të drejtën e koncensionit për menaxhimin dhe operimin e Terminalit Lindor në Portin e Durrësit. Në maj të vitit 2013, EMS-Fehn-Group dhe qeveria shqiptare lidhën një kontratë koncesioni që i jepte kompanisë sonë të drejtën për të përpunuar ngarkesat e anijeve në Terminalin Lindor. Pak kohë më vonë, EMS-Fehn-Group themeloi operatorin e portit shqiptar EMS Shpk, (EMS APO), si njësi operative. Që atëherë, kompania ka menaxhuar këtë terminal. Kontrata e koncesionit ka një afat prej 35 vjetësh, pra deri në vitin 2048.
DW: Që nga 29 korriku i këtij viti, kompania nuk lejohet të punojë brenda portit. A mund të na tregoni më konkretisht se çfarë ka ndodhur dhe cilat janë pretendimet e Autoritetit Portual të Durrësit për vendimin e marrë?
Florian Çimo: Në orët e para të mëngjesit të datës 29 korrik, Autoriteti Portual i Durrësit, pra autoriteti shtetëror shqiptar që është i ngarkuar për administrimin e portit, sëbashku me pjesëtarë të ekipit të sigurisë së portit dhe të mbështetura nga forca të Policisë së Shtetit, hynë në Terminalin Lindor dhe zaptuan pjesë të qenësishme të zonës së terminalit, duke vendosur aty blloqe betoni. Kjo ka dëmtuar ndjeshëm mundësitë tona me qëllim vijimin e punës. Aktualisht ne po bëjmë çdo përpjekje për të ofruar shërbimet tona kundrejt rrethanave të reja të imponuara. Në përgjigje të pyetjeve tona, Autoriteti Portual i Durrësit pretendon, se veprimet e ndërmarra janë bërë me qëllim zbatimin e një plani të ri të sigurisë së portit. Kjo ishte hera e parë që ne mësuam rreth këtij plani. Vetëm një ditë para se pjesë të terminalit tonë të zaptoheshin, pas orarit zyrtar të punës, pasditen vonë të datës 28 korrik, EMS APO ka marrë një email nga Autoriteti Portual i Durrësit. Ky email na vinte në dijeni rreth një plani të ri menaxherial për Portin e Durrësit. Sipas këtij plani, pjesë të Terminalit Lindor ishin rezervuar për zhvillimin e projektit “Durres Marina & Yacht”. E gjitha kjo ndodh ndërkohë që kontrata koncensionare me EMS-Fehn-Group është ende në fuqi dhe kompania jonë është lënë krejtësisht në terr informativ në lidhje me të ardhmen e këtij koncensioni në Shqipëri. Sipas këndvështrimit tonë, kjo është një tjetër masë, në vazhdën e veprimeve që Shqipëria ka ndërmarrë gjatë viteve të fundit për të dëmtuar aktivitetet tona tregtare dhe për të na nxjerrë ne jashtë Portit të Durrësit.
DW: A ishte ky një vendim “surprizë” për kompaninë apo është i lidhur me padinë që ju keni ngritur kundër shtetit shqiptar në Gjykatën e Arbitrazhit ICSID në Uashington? Ku konsiston kjo padi?
Florian Çimo: Nëse me “vendim” i referoheni veprimeve të ndërmarra nga Autoriteti Portual i Durrësit më datën 29 korrik, atëherë përgjigja është Po. Ne nuk e prisnim që pjesë të qenësishme të terminalit tonë të zaptoheshin. Në të njëjtën kohë, ne nuk do të spekulojmë nëse ka ndonjë lidhje mes incidentit të së shtunës dhe kërkesës për abritrazh kundër shtetit shqiptar, kërkesë e cila është depozituar nga EMS-Fehn-Group pranë ICSID (International Center for Settlement of Investment Disputes) gjatë muajit prill. Qëllimi i këtij arbitrazhi është kërkesa për dëmshpërblim financiar për humbjet e shkaktuara nga Shqipëria në kuadër të marrëveshjes dypalëshe të investimeve mes Gjermanisë dhe Shqipërisë.
DW: Pak ditë më parë, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë nuk e kaloi për gjykim ankimimin tuaj. Si e konsideroni këtë vendim?
Florian Çimo: Ky është një proces ligjor dhe ne nuk do të komentojmë rreth tij.
DW: Çfarë hapash të tjerë ligjorë do të ndërmerrni?
Florian Çimo: Aktualisht, avokatët tanë po vlerësojnë situatën. *Florian Çimo është Menaxher Tregtar i “EMS Albanian Port Operator Shpk”. (EMS APO). Kompania është pjesë e EMS-Fehn-Group në Gjermani./DW
Fraksion.com