Trump deklarohet i pafajshëm ndaj akuzave për komplot për përmbysjen e humbjes në zgjedhje
Donald Trump është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave federale se ka orkestruar një komplot për përmbysjen e humbjes së tij në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 në Shtetet e Bashkuara.
Prokurori i Posaçëm, Jack Smith, i cili ka udhëhequr hetimin ndaj asaj që prokurorët amerikanë e quajnë përpjekje të paprecedente nga presidenti i atëhershëm për të minuar shtyllat e demokracisë amerikane, ka shikuar nga rreshti i parë i sallës së një gjykate në Uashington, në pasditen e së enjtes (sipas kohës lokale), teksa Trump ka thënë se ndihet i pafajshëm, duke qëndruar para gjyqtarit Moxila Upadhyaya.
Paraqitja e Trumpit në gjyq, e cila ka zgjatur rreth gjysmë ore, më 3 gusht, ka ndodhur vetëm një kilometër larg ndërtesës së Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilën mbështetësit e tij e sulmuan më 6 janar të vitit 2021, në përpjekje për ta ndalur certifikimin e disfatës së tij zgjedhore nga legjislativi amerikan.
Deklarimi i Trumpit si i pafajshëm në gjyq – hera e tretë që ai bën një gjë të tillë në katër muajt e fundit – ka nisur një betejë disamujore gjyqësore, e cila do të zhvillohet në kohën e fushatës për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Trump është favorit për të siguruar nominimin nga Partia Republikane për ta sfiduar në zgjedhje presidentin aktual nga radhët e Partisë Demokratike, Joe Biden.
Në një aktakuzë prej 45 faqesh, të publikuar të martën, Smith ka akuzuar Trumpin dhe aleatët e tij për mbështetje të pohimeve të rreme se zgjedhjet e vitit 2020 ishin manipuluar, duke u bërë trysni zyrtarëve shtetërorë dhe federalë që të ndryshonin rezultatet dhe t’ia merrnin votat elektorale Bidenit.
Trump, 77-vjeçar, akuzohet, ndër të tjera, për konspiracion për mashtrimin e SHBA-së, për privimin e qytetarëve nga e drejta e tyre për t’iu numëruar votat, dhe për pengimin e një procesi zyrtar. Akuza më serioze parasheh dënim me burgim prej 20 vjetësh.
Seanca e radhës në gjyq do të jetë më 28 gusht, para gjyqtares Tanya Chutkan, ndonëse Upadhyaya ka thënë se Trump nuk është i obliguar të marrë pjesë. Chutkan synon të caktojë një datë për gjykimin e Trumpit atë ditë, ka thënë Upadhyaya.
Seanca e 28 gushtit do të zhvillohet pesë ditë pas debatit të parë të planifikuar mes kandidatëve republikanë për president. Trump ende nuk ka thënë nëse do të marrë pjesë në të.
Trump e ka cilësuar aktakuzën, si dhe rastet e tjera penale ndaj tij, si “gjueti shtrigash” që ka për qëllim pengimin e fushatës së tij për kthim në Shtëpinë e Bardhë. Në një varg shkrimesh në media sociale, të martën, ai e ka akuzuar administratën e Bidenit për shënjimin e tij për poenë politikë.
Ai është deklaruar më parë i pafajshëm ndaj akuzave federale se ka mbajtur dokumente të klasifikuara, pasi është larguar nga pushteti, ndërsa shteti i Nju-Jorkut e akuzon atë se ka falsifikuar dokumente në lidhje me blerjen e heshtjes së një aktoreje pornografike.
Trump mund të përballet edhe me akuza të tjera – në Xhorxhia, prokuroria shtetërore po heton përpjekjet e tij për ta përmbysur rezultatin zgjedhor atje. Prokurorja nga zona e Atlantas, Fani Willis, ka thënë se do të ngre padi gjatë mesit të gushtit.
“Më duhen më shumë akuza për ta siguruar zgjedhjen”, ka shkruar Trump në platformën e tij, Truth Social, para paraqitjes në gjyq, të enjten.
Rreth gjysma e republikanëve kanë thënë se nuk do të votonin për Trumpin, nëse ai do të dënohej për ndonjë krim, sipas një ankete të re të zhvilluar nga Reuters dhe Ipsos, duke theksuar rreziqet potenciale që telashet e tij ligjore përbëjnë për kandidaturën e tij.
Por, e njëjta anketë, e realizuar pas aktakuzës së të martës, ka demonstruar, po ashtu, qëndrueshmërinë e tij në garën brenda partisë republikane.
Rezultatet e anketës kanë treguar se ai tani gëzon mbështetjen e 47 për qind të republikanëve, teksa ka dyfishuar epërsinë karshi të dytit në garë brenda partisë, guvernatorit të Floridës, Ron Desantis, i cili mbështetet nga 13 për qind e republikanëve./rel
Fraksion.com