“Saranda, 90% e rezervuar, nuk ka asnjë apartament apo shtëpi të mbyllur”
Shumica e hoteleve dhe apartamenteve në Sarandë kanë rezervime deri në fillim të shtatorit.
Arben Çipa, administrator i Sipa Tours shprehet se interesi i madh për Sarandën dhe zonat përreth ka sjellë që sot të mos kemi apartamente apo shtëpi të mbyllura si dikur, por shumica të rikonstruktohen dhe të hyjnë në shërbim të sektorit të turizmit, si formë akomodimi.
Ky lloj akomodimi është veçanërisht i parapëlqyer nga italianët, të cilët janë një grup i rëndësishëm i turistëve në qytetin bregdetar jugor, teksa pjesa më dominuese e turistëve janë spanjollë.
Z. Çipa vlerëson se sektori po përjeton ngërçin e mungesës punëtore në kushtet e një fluksi të jashtëzakonshëm turistik dhe sipas tij, sfida e këtij viti do të jetë ofrimi i një shërbimi cilësor.
Viti 2023 cilësohet optimist për numrin e turistëve që po vizitojnë vendin. Si është sezoni veror në Sarandë në këndvështrimin tuaj?
Prurja e përditshme që nisi nga fundi i muajit maj me rreth 2 mijë turistë që vijnë me linjat e tragetit Korfuz-Sarandë dhe anasjelltas është një fenomen i ri që nuk e kemi parë kurrë, përveç viteve kur kroçerat kanë pushtuar Sarandën dhe kjo vetëm në ditë të caktuar.
Është një volum turistësh që përdorin Korfuzin si trampolinë për të prekur Shqipërinë. Për ta është kombinimi më i mirë për një udhëtim më të lehtë dhe akses më të shpejtë të destinacionit. Janë turistë që marrin makina me qira dhe vijnë për zonën e Rivierës nga Ksamili në Dhërmi.
Kjo rritje e dukshme e interesit për vendin tonë është fryt i gjithë atij promovimi të bërë nga mediat ndërkombëtare me emisione të posaçme për Jugun e Shqipërisë, duke nisur nga kanalet më të ndjekura të Italisë tek ato të Francës dhe Spanjës.
Ky sezon është shumë mirë. Në gjithë territorin e Sarandës nuk ka më asnjë apartament apo shtëpi të mbyllur që është jofunksional. Të gjitha janë bërë funksionale, si në rrugën e parë pas Shëtitores edhe në rrugën 5 të saj.
Kjo tregon se kemi një rritje të dukshme të numrit të turistëve, të cilët plotësojnë të paktën 90% të hoteleve por edhe të kapaciteteve të tjera, siç janë apartamentet. Janë bërë investime serioze për të përballuar këtë fluks në rritje dhe për të ofruar shërbim në një moment kaq të mirë për turizmin në vend.
Cili është tregu që mbizotëron apo bie në sy këtë vit në zonën e Sarandës dhe Jugut?
Mbizotëron tregu spanjoll. Nëse më parë dëgjoje anglisht, tani dëgjon spanjisht në Shëtitoren e qytetit. Të gjithë këta turistë që flasim janë të pavarur, vijnë duke organizuar gjithçka vetë, nga rezervimi i hotelit te biletat dhe hartimi i axhendës që do të ndjekin gjatë qëndrimit. Bëjnë gjithçka në mënyrë individuale duke përdorur shërbimet online.
Saranda ka qenë edhe një destinacion i parapëlqyer për turistët e organizuar. Jo masivisht, por ama ka pasur disa tregje që e kanë vizituar rregullisht. Si është ky turizëm këtë vit?
Turistët e organizuar në Sarandë janë të paktë në numër në krahasim me vitet e kaluara.
Kompanitë që ishin të fokusuara në këtë rajon sidomos skandinavët vazhdojnë të operojnë, por me një numër më të vogël, pasi janë zhvendosur në Durrës, aty ku kapacitetet dhe natyra e hotelerisë u shkon më për shtat me atë që kërkojnë.
Cili është turisti tipik që po viziton Sarandën këtë vit nëse mund të bëjmë një profil?
Në përgjithësi është turisti i moshës së re, 25-55 vjeç. Janë çifte në përgjithësi, por edhe familjarë.
E gjithë kjo kategori ka lënë përshtypjen se plotëson një pjesë të mirë të akomodimit që ofron zona në apartamente, ndërkohë që një pjesë shumë cilësore e tyre shfrytëzojnë hotelet kryesisht ata të mirë, pra që hyjnë te hotelet me një nivel mjaft të mirë çmimi dhe shërbimi.
Gjithsesi kërkesa e rritur ka sjellë rezervime për çdo lloj strukture, sipas kategorive ku e gjen veten turisti.
Vihet re një rritje e çmimeve në restorante që varion 10-30% në pjesën më të madhe të vendit, por edhe rritje çmimesh në strukturat akomoduese. A e konstatoni ju këtë?
Në përgjithësi, te restorantet dhe hotelet ajo rritje 15% ka ardhur si efekt i rënies së euros, që u thellua dy vitet e fundit. Rritja që u bë sivjet, duke nisur nga periudha e dimrit lidhet drejtpërdrejt me zhvlerësimin.
Çmimet kanë dhe specifika të tjera që lidhen me pozicionimin dhe kushtet apo kategorinë ku përfshihet struktura, qoftë ky apartament apo strukturë.
Për shembull apartamentet në Sarandë, në bazë të vendndodhjes, aplikojnë dhe çmimet që mendojnë se mund të jenë të pranueshme.
Kjo kategori akomodimi fokusohen kryesisht te korriku dhe gushti kur pritet që dhe numri i turistëve italianë që vijnë në atë periudhë të jetë shumë i madh.
Ky grup turistësh kërkojnë akomodim në apartamente. Ndërkohë është një kategori hotelesh që me shërbimin që ofrojnë por dhe marketimin që ju është bërë, kanë kërkesë të lartë e për rrjedhojë, edhe çmimet janë rritur.
Deri diku është edhe kompensim i asaj që lidhet me shërbimin, ku investohet për ta mbajtur në nivele të larta. Janë hotele të mirë, që konkurrojnë me njëri-tjetrin dhe ku shërbimi është gjithmonë shumë i mirë.
Kur flasim për hotelet ku numri i shtretërve është i kufizuar apo shërbimi nuk ka të njëjtin fokus si tek ata të nivelit të lartë, duke shtuar këtu dhe zonën ku ndodhen, mendoj se çmimet që po ofrojnë këtë vit janë të përballueshme për turistin perëndimor që dominon.
Edhe ky grup ka një tendencë në rritje krahasuar me vitin e kaluar. Por për ta parë të saktë këtë, do të duhet të presim mbylljen e sezonit, kur edhe bëhet një bilanc dhe krijohet një ide. Aktualisht, pjesa mbizotëruese e strukturave akomoduese në Sarandë janë 80-90% të rezervuara.
A vini re prani më të gjerë apo më të zbehtë të turistëve nga Kosova këtë vit?
Nuk mund të them se shoh ndonjë prani që mund të bjerë në sy. Ndoshta numri i konsiderueshëm i turistëve të tjerë e bën të vështirë që të vihen re.
Tregu i Kosovës mbetet i vogël, të paktën në Sarandë dhe sado që të jetë i pranishëm në atë që po ndodh sot është i padukshëm.
Ky grup i rëndësishëm turistësh për vendin janë kryesisht të pranishëm në Shëngjin, Velipojë, në Durrës, nga zona e plazhit deri te Shkëmbi i Kavajës.
Janë klientë tradicionalë dhe klientë që funksionojnë në shumë forma qoftë dhe si vizitorë tek bashkëkombësit e tyre që janë subjekte me origjinë nga Kosova dhe që kanë aktivitet te zona e plazhit.
Një nga problematikat e sektorit, e theksuar në dy vitet e fundit, është mungesa e punonjësve. Si po e përballon Saranda këtë vit fluksin duke pasur parasysh ngërçin me punonjësit?
E kam thënë që kjo është një pandemi që tashmë na ka mbërthyer dhe do të duhet shumë kohë që ta kalojmë. Subjektet janë në terror nga stafi në kuptimin e nevojës. Është kthyer në çështje delikate dhe rishikimi i pagave është bërë i zakonshëm.
Sot nuk ka asnjë pagesë, e çfarëdo profesioni, e cila është nën 50 mijë lekë. Pagat në sektorin e turizmit fillojnë nga 60 mijë lekë një shofer i thjeshtë deri në 250 mijë lekë për shefa kuzhine.
Nevoja për staf mbetet e lartë dhe bizneset janë çdo ditë duke kërkuar për të plotësuar nevojat e tyre. Përballja me një sezon si ky i sivjetshmi e ka bërë edhe më të vështirë situatën te shërbimi por deri tani po ia dalim.
Nga ajo që ju shihni deri më tani, si e parashikoni ecurinë e gjithë vitit 2023 për sektorin e turizmit?
Situata këtë vit po duket vërtet optimiste dhe me atë që ne shohim sot dhe nëse koha do të jetë e mirë mendoj se do të kemi turistë deri në 20 tetor.
Nuk mund të them volumin që do të kemi, por mendoj se do të jetë në përmasa të kënaqshme deri në 10 tetor dhe do të kemi operim në nivele të pranueshme në zonën e Sarandës.
Ndërkohë që ashtu siç kemi lajme të mira dhe pritshmëri pozitive duhet që të rrisim edhe vigjilencën dhe përgjegjshmërinë për mënyrën si operon sot sektori. Dua të sjell në vëmendje faktin që çështja e shërbimit duhet të shihet me përparësi.
Është një kambanë alarmi që mund të kthehet në fatale, nëse e neglizhojmë. Cilësia e shërbimit duhet të jetë epiqendra e asaj ku punohet dhe ashtu siç ka biznese të përgjegjshme në Sarandë, ka edhe biznese që operojnë në kushte informaliteti, duke neglizhuar dhe duke dhënë përvojë negative për turistët pikërisht përballë institucioneve publike.
Çdo eksperiencë negative që buron prej tyre është një goditje për gjithë sektorin dhe duhet të bëhet kontroll më i mirë nga autoritetet që të eliminohet operimi pa asnjë kriter dhe në shkelje totale të ligjit./monitor.al
Fraksion.com