Ryshfet policit të rrugores, Policia: Janar-korrik 2023, 66 të arrestuar në Tiranë
Policia Rrugore e Tiranës nga muaji janar deri në Korrik 2023 ka arrestuar 66 drejtues mjetesh të cilët kanë tentuar të korruptojnë punonjësit e policisë.
Ministria e Brendshme duke publikuar video nga momentet, ku Policia e Tiranës ka evidentuar rastet e tentativës së drejtuesve të mjeteve për të korruptuar efektivët e Policisë rrugore, nënvizon se po zhvillohen kontrolle të dedikuara për rritjen e sigurisë rrugore në kryeqytet.
“Tiranë – Policia Rrugore Tiranë ushtron kontrolle të dedikuara, për rritjen e sigurisë rrugore në kryeqytet. Gjatë periudhës Janar – Korrik 2023, janë kapur në flagrancë 66 drejtues mjetesh që kanë tentuar të korruptojnë punonjësit e Policisë.”, njofton Ministria e Brendshme.
Policia e Tiranës duke bërë apel për një udhëtim të sigurtë në mjet, njofton se gjatë kontrolleve të të dedikuara, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore në kryeqytet, një rëndësi të veçantë i është kushtuar ndëshkimit të drejtuesve të mjeteve të cilët në kundërshtim me Kodin Rrugor, kanë tentuar të korruptojnë punonjësit e Policisë, me qëllim shmangien e detyrimeve ligjore apo të masave administrative.
“Gjatë periudhës janar – korrik 2023 janë kapur në flagrancë 66 drejtues mjetesh që kanë tentuar të korruptojnë punonjësit e Policisë, për të cilët janë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.”, përfundon Policia e Tiranës.
Fraksion.com