Nuk i deklaroi në kufi 28 400 eurot, policia ia sekuestron
Policia Kufitare e Muriqanit procedoi penalisht një 50-vjeçar. Shtetasi nga Kosova, njofton Policia e Shkodrës, jetonte në Gjermani. Ai akuzohet për mos deklarim të të hollave në kufi, pasi i’u gjetën dhe sekuestruan 28 400 euro.
“Shërbimet e Policisë Kufitare në Pika e kalimit Kufitar Muriqan, në vijim të kontrolleve të shtuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, bazuar në analizën e riskut, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të detajuar, automjetin me të cilin udhëtonin shtetasit kosovarë P. P. dhe B. P. (babë e bir)”, njofton Policia e Shkodrës.
“Gjatë kontrollit në automjet dhe në çantën e dorës të shtetasit P. P., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 28 400 euro që i posedonte shtetasi P. P., por nuk i kishte deklaruar në kufi, sipas përcaktimeve ligjore”, vijon njoftimi.
“Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin kosovar P. P., 50 vjeç, banues në Gjermani, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme. “, përfundon njoftimi i Policisë së Shkodrës.
Fraksion.com