Ura 300 vjeçare e Orgockës prej 5 vitesh e shembur: Banorët e izoluar, askush nuk merr masa
Në Fiks Fare u ankuan banorët Kurtes së Ersekës pasi prej 5 vitesh ura që lidh 4 fshatra me qytetin është shembur.
Ura e Orgockës Monument Kulture e Kategorisë së Parë e ndërtuar para 300 viteve ‘dha shpirt ‘ në 4 shkurt të vitit 2018, që prej asaj dite banorët u izoluan dhe mënyrë për t’u lidhur me qytetin ishte vetëm kalimi i lumit me mjete të mëdha.
Fshati Kurtes ka rreth 10 familje, por edhe tre fshatrat e tjerë që janë përtej lumit këtë kishin urë ndërlidhëse. Plus nëse kalon këto fshatra mund të shkosh edhe në Frashër të Përmetit, gjë të cilën shumë turistë preferonin ta bënin duke kaluar edhe mbi urën 300 vjeçare me gjatësi 70 metra. Tashmë nga ky Monument Kulture kanë mbetur vetëm rrënoja.
Më të vështirë jetesën për banorët e bën dimri ku prurjet e lumit janë edhe më të mëdha dhe bëhet i pakalueshëm, por edhe për të sëmurët nuk është e lehtë. ” Sa herë ka ardhur ambulanca këtu është kthyer në mes të rrugës se ka qenë e pamundur të vinte” shprehen banorët.
Fiksi u interesua pranë Bashkisë Ersekë, ku nënkryetarja znj. Mimoza Gora shpjegoi se nga ana e tyre është njoftuar Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Korçë, pasi ura gëzon statusin e Monumentit të Kulturës dhe nuk mund të ndërhyjnë në të. Por pyetjes së Fiksit që a është menduar për një alternativ tjetër nga bashkia, nënkryetarja tha se kanë paraqitur një projekt por edhe ky është i vështirë të zbatohet për shkak të gjatësisë së urës, 70 metra e gjatë. Në këto kushte bashkia dorëzohet.
Fiksi iu drejtua edhe më një kërkesë zyrtare Ministrisë së Kulturës. Në përgjigjen e saj ministria shkruan; Ura e Orgockës gëzon statusin Monument Kulture e Kategorisë së Parë, shpallur me Vendim Nr. 6 datë 30.06.1973 nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës.
Në zbatim të Ligjit 27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, kompetencave të IKTK-së dhe duke marrë shkas nga shqetësimet e qytetarëve, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore do te vijojë me ngritjen e një grupi pune, për të vlerësuar gjendjen e monumentit dhe më pas për të ndërmarrë hapat e duhura në interes të monumentit dhe të qytetarëve.
Pra pas 5 vitesh ministria ende nuk ka ngritur grupin e punës, por duhej të vihej në dijeni nga Fiks Fare për problemin.
Për sa i përket Urës së Orgockës ajo është riparuar në vitin 1966 nga Forcat e Armatosura dhe në vitin 2016. Xhenierët e FA para 7 vitesh riparuan në total 21 metra nga gjatësia e kësaj ure, duke garantuar një peshëmbajtje prej rreth 10 tonësh.
Fraksion.com