U shkarkua pasi i doli emri te dosja për inceneratorët? Gjiknuri: Të njohësh dikë, nuk të bën të fajshëm. Jam i hapur ndaj drejtësisë
Ish-sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri, në një konferencë me gazetarët këtë të premte, është pyetur lidhur me daljen e emrit të tij në dosjen e SPAK për Arben Ahmetajn, lidhur me çështjen e inceneratorëve.
I pyetur nëse ka dëshmuar në SPAK, ai tha se ende nuk është marrë në pyetje. Ai u shpreh se nuk ka asnjë lidhje me këtë aferë, ndërsa shtoi se të njohësh dikë që përfshihet në një çështje penale, nuk të bën të fajshëm.
“Hetimi ka vite që ka nisur, nuk më kanë thirrur ndonjëherë, nëse do më thërrasin natyrshëm do të jap shpjegim. Roli i ministrit të energjisë ka qenë periferik…
Ato vepra janë në dobi të publikut, të qytetarëve. Sot në Elbasan ka një vepër që prodhon energji. Vendimet duhen para në kontekst të gjerë. Nuk ndihem i keqardhur. Jam mësuar të lëviz në pozicione të ndryshme. Më pëlqen që ta shoh veten në pozicione prej 360 gradë.
Nuk kam dijeni se ka hetim për pasurinë time nga SPAK, por ato janë të deklaruara dhe unë jam kontrolluar tre herë nga Inspektorati i Lartë.
Lidhur me udhëtimet që përmendet ju, ato dy episode që nuk kanë lidhje fare dhe janë para se të zhvillohej procedura nga ministria ime, janë udhëtime zyrtare, por të njohësh dikë nuk të bën të fajshëm.
Nuk duhet të shqetësohem nga fakti që dikush abuzon në emrin tim, unë shqetësohem për aktet që bëj vetë. Moszbatimi i ligjit nga ana ime do të përbente krim. Për çështjen e holeve e dhashë sqarimin tim dhe do ta jap në prokurori kur të thirrem. Në lidhje me interesave korruptive të X apo Y do t’i vërtetojë drejtësia.
Jeta kështu na ka sjellë, i njoh të gjithë. Komunikimet i kam vazhduar me kryeministrin. Kam komunikime me të. Nuk është fundi ky, por mund të jetë fillimi i diçkaje tjetër. PS do të vazhdojë funksionin e saj. Unë kam dhënë kontributin tim dhe askush nuk mund të dalë dhe të pohoj kundër”, deklaroi ai.
Fraksion.com