AktualitetTë fundit

Sekuestrohen 10 mln euro pasuri në Tiranë: U përfituan në rrugë të paligjshme

Policia e Tiranës ka sekuestruar 10 milionë euro pasuri, që dyshohet se u përfitua nga veprimtaria kriminale. Sipas Policisë së Tiranës, pasuria e sekuestruar i përkiste Paulin Ndue Gjergjit dhe familjarëve të tij.

Policia e Tiranës në njoftimin e saj bënë me dije se sekuestrimi i pasurisë vjen në kuadër të operacionit “Përfitimi”.

“Në kuadër të procedimit penal për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, referuar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, u zhvillua operacioni policor i koduar “Përfitimi”. Në zbatim të këtij procedimi, u bë ekzekutimi i vendimit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të paluajtshme në ngarkim të shtetasit Paulin Ndue Gjergji. dhe të familjarëve të tij.”, njofton Policia e Tiranës.

“Në zbatim të këtij vendimi, u bë sekuestrimi i pasurive të paluajtshme, vlera e të cilave arrin rreth 10 milionë euro, konkretisht: 11 garazhe, 18 apartamente, 1 truall, 2 njësi, 1 vilë, licencë për transport udhëtarësh, 3 shoqëri aksionere, 1 kazino dhe 9 automjete.

Nga veprimet hetimore dyshohet se pasuritë e sekuestruara e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të kryera nga shtetasi Paulin Ndue Gjergji i cili ka qenë i dënuar për vepra penale në fushën e narkotikëve.”, bënë të ditur Policia e Tiranës.

Paulin Ndue Gjergji është u vra në qershor të 2020 në Laç nga persona të maskuar me uniforma policie. Ai dyshohet se ka qenë pjesë e një grupi kriminal i cili aktivitet kryesor kishte trafikimin e lëndëve narkotike. Nga hetimi i realizuar, prokuroria ka identifikuar pasuritë e tij, të cilat nuk justifikohen dhe dyshohet se lidhen dhe rrjedhin nga veprimtaria kriminale që ka kryer i dyshuari.

 

Fraksion.com