AktualitetTë fundit

Raporti për klimën e biznesit, DASH: Shqetësim pastrimi i parave, korrupsioni dhe koncesionet

Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi raportin për ekonominë dhe klimën e biznesit në Shqipëri.

Raporti e cilëson Shqipërinë si një vend me të ardhura të larta mesatare, me 18.2 miliardë dollarë prodhimin e brendshëm bruto dhe që vitet e fundit kaloi tre goditje ekonomike të forta, tërmeti, pandemia dhe lufta në Ukrainë që e uli rritjen ekonomike nga gati 8 përqind në 3.7 përqind në vitin e kaluar. Papunësia u ul por vendi vuan nga mungesa e fuqisë punëtore.

“Shqipëria ofron potencial të madh të pashfrytëzuar për investime të huaja në shumë sektorë duke përfshirë energjinë, turizmin, kujdesin shëndetësor, bujqësinë, naftën dhe minierat, dhe teknologjinë e informacionit dhe komunikimit. Në dekadën e fundit janë 1.19 miliardë dollarë investime te huaja direkte duke e çuar në 10 miliardë totalin.”

Por departamenti thekson problemet që Shqipëria ka me pastrimin e parave.

“Shqipëria ka një sektor të madh informal dhe aktivitete të pastrimit të parave. Task Forca e Veprimit Financiar për Pastrimin e Parave e përfshiu Shqipërinë në listën e saj gri në vitin 2020 dhe vendi vazhdon të jetë në listën për vitin 2023 për shkak të mangësive strategjike në adresimin e shqetësimeve të pastrimit të parave. Komuniteti i biznesit raporton se fluksi i madh i të ardhurave të paligjshme nga trafiku i drogës, kontrabanda, evazioni fiskal dhe korrupsioni shtrembëron konkurrencën në treg. Akuzat për korrupsion janë të zakonshme dhe investitorët shpesh raportojnë se ata bëhen objektiv i zhvatjes si nga administrata publike, ashtu edhe nga media dhe grupet kriminale.”

Raporti nxjerr konkluzione edhe për nivelin e korrupsionit

“Raportimet për korrupsion në prokurimet qeveritare janë të zakonshme. Investitorët raportojnë shpesh raste të korrupsionit qeveritar që vonon dhe parandalon investimet në Shqipëri. Përdorimi i vazhdueshëm i kontratave të partneritetit publik privat ka reduktuar mundësitë për konkurrencë, përfshirë nga investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë. Analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave janë shqetësime të Vazhdueshme. Investitorët amerikanë sfidohen nga korrupsioni dhe përjetësimi i praktikave informale të biznesit.”

Raporti thekson se të drejtat e pronësisë vazhdojnë të jenë një sfidë në Shqipëri, sepse një titull i qartë është i vështirë për t’u marrë. Ka pasur raste të individëve që dyshohet se kanë manipuluar sistemin gjyqësor për të marrë tituj të paligjshëm të tokës. Mbivendosja e titujve të pronësisë është një çështje serioze dhe e zakonshme. Procesi i kompensimit për tokat e konfiskuara nga ish-regjimi komunist vazhdon të jetë i rëndë, joefikas dhe i pamjaftueshëm. Raporti thekson se për të trajtuar korrupsionin sistematik, Shqipëria miratoi reformën në drejtësi që nxori nga sistemi gjysmën e gjyqtarëve dhe krijoi SPAK dhe Byronë kombëtare te hetimit.

“Zbatimi i reformës në drejtësi është në vazhdim dhe zbatimi i suksesshëm i saj pritet të përmirësojë klimën e investimeve në vend.”

Lexoni raportin e plotë këtu

 

Fraksion.com