Zjarri nxjerr municionet luftarake, gjenden arka me fishekë në pyllin e djegur të Peshtanit
Zjarri në zonën e Peshtanit ka nxjerr në rrugë municione luftarak. Gazetari Ervis Kuçi raporton për BalkanWeb se fare pranë rrugës Fier- Cakran, grupi i xhirimit të News24 ka arritur të gjejë dhe filmojë një kuti mbushur me fishekë, të cilat përdoren për automatikë kallashnikov.
Nuk dihet se cilës periudhe i përkasin, por mendohet që janë fshehur në ketë zonë nga trazirat e vitit 1997. Shpërthimi i fishekëve është dëgjuar edhe një ditë më parë ndërsa një sasi e madhe e tyre si pasojë e flakëve kanë dalë edhe në rrugë.
Banorë të zonës deklaruan jashtë kamerave se në këto ditë kur pylli është përfshirë nga flakët shpesh janë dëgjuar shpërthime të fishekëve, ndërsa arkat me municion kanë dalë edhe në aksin rrugor.
Nuk dihet nëse ka të tjera municione në këtë zonë dhe të kalibrit më të madh, ndërkohë që situata nga zjarret vazhdon të jetë në alert.
Fraksion.com