“Tragjike humbja e jetës”, Peleshi: Gati të japim ndihmën tonë për zjarret në Greqi
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi siguroi sot se Shqipëria është e gatshme të ndihmojë në çdo mënyrë që mund të nevojitet Greqinë, në përballje me situatën e zjarreve.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Peleshi shprehu tronditjen nga lajmi i rrëzimit të avionit “Canadair” grek, në ishullin e Evias.
Ministri u shpreh se “është tragjike humbja e jetës së dy pilotëve që po ndihmonin në shuarjen e zjarreve. Lutemi që shpirtrat e tyre të gjejnë paqen e merituar”.
“Solidarizohemi me Greqinë dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë në çdo mënyrë që mund të nevojitet. Të jemi në krah të tyre në këto ditë të vështira është një detyrë humane dhe morale”, tha Peleshi.
Sipas tij, “humbja e dy pilotëve tregon shërbimin e paçmueshëm të çdo ushtaraku, që është i gatshëm të mbrojë jetën dhe sigurinë e qytetarëve të vendit duke luftuar çdo verë dhe duke rrezikuar jetën për të shuar zjarret”.
“Ngushëllimet më të thella për familjet e viktimave në këto momente të vështira”, shkruan Peleshi.
Fraksion.com