AktualitetTë fundit

SPAK dërgon për gjykim dy zyrtarë për korrupsion

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për gjykim 2 zyrtarë dhe një tjetër shtetas për kryerjen e veprave penale të korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike.

SPAK dërgoi për gjykim shtetasin Erjon Buçuku, me detyrë Përgjegjës i Sektorit të Burimeve Njerëzore të Drejtorisë së Përgjithshme të Objekteve Publike në Bashkinë Tiranë.

“Më datën 23 maj 2023, në emisionin investigativ ‘STOP’ të televizionit kombëtar ‘Klan’ janë transmetuar me pamje filmike veprime me natyrë korruptive të të pandehurit Erjon Buçuku. Transmetimi i këtyre pamjeve ka shërbyer edhe si indicie për fillimin e hetimeve të këtij procedimi penal”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Nga hetimi i gjithanshëm dhe objektiv i këtij procedimi është provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm se, i pandehuri Erjon Buçuku ka përfituar në mënyrë të parregullt vlerën monetare prej 100 mijë lekë, për të punësuar shtetasin Geraldi Bregu, si roje të shkollës 9- vjeçare “Ardian Klosi”, Tiranë, si dhe i ka kërkuar përfitim të parregullt shtetasit Geraldi Bregu në vlerën monetare prej 150 mijë lekësh për të punësuar të fejuarën e tij si sanitare në shkollën “Mihal Grameno” Tiranë, por shtetasi Geraldi Bregu nuk ia ka dhënë këtë vlerë monetare.

Veprimet hetimore të këtij procedimi penal janë kryer nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit nën drejtimin dhe kontrollin e Prokurorit të Posaçëm.

Po ashtu, SPAK ka dërguar për gjykim çështjen në ngarkim të të pandehurve Irgen Kërçuku dhe Aleksandër Laho.

“Irgen Kërçuku, me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, avokat i shtetit në Zyrën Vendore të Avokaturës së Shtetit, ka marrë një përfitim të parregullt në vlerën 900 mijë lekë nga i pandehuri Aleksandër Laho i quajtur ndryshe “Rumi”, për të kryer një veprim që lidhet me detyrën e tij, konkretisht për të mos marrë pjesë në procesin gjyqësor me palë ndërgjyqëse paditës Pal Seçuni, palë e paditur ZVRPP Durrës dhe palë e tretë Avokatura e Shtetit si dhe për të mos kryer një veprim që lidhet me detyrën e tij konkretisht, për të mos bërë në vijim ankim në Gjykatën e Apelit, për vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës”, thuhet në njoftimin e SPAK.

I pandehuri Aleksandër Laho në bashkëpunim me persona të tjerë i ka dhënë një përfitim të parregullt në vlerën 900 mijë lekë, avokatit të shtetit në zyrën vendore Durrës, të pandehurit Irgen Kërçukut, për atë personalisht, me qëllim për të kryer një veprim që lidhet me detyrën e tij, konkretisht për të mos marrë pjesë në procesin gjyqësor me palë ndërgjyqëse paditës Pal Seçuni, palë e paditur ZVRPP Durrës dhe palë e tretë Avokatura e Shtetit si dhe për të mos kryer një veprim që lidhet me detyrën e tij konkretisht, për të mos bërë në vijim ankim në Gjykatën e Apelit, për vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.

Veprimet hetimore të këtij procedimi penal janë kryer nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit nën drejtimin dhe kontrollin e Prokurorit të Posaçëm.

 

Fraksion.com