AktualitetBota+Të fundit

Djegja e kopjeve të Kuranit para ambasadave të Turqisë dhe Egjiptit në Danimarkë

Një grup i vogël aktivistësh anti-islamik dogjën të martën kopje të Kuranit përpara ambasadave egjiptiane dhe turke në Kopenhagën. Protesta të ngjashme gjatë javëve të fundit në Danimarkë dhe Suedi kanë zemëruar besimtarët myslimanë.

Danimarka dhe Suedia kanë thënë se e dënojnë djegien e librit të shenjtë të fesë islame, por nuk mund ta parandalojnë atë sipas rregullave që mbrojnë lirinë e shprehjes. Javën e kaluar, protestuesit në Irak i vunë flakën ambasadës suedeze në Bagdad.

Demonstrata e së martës në Kopenhagën, nga një grup i quajtur “Patriotët danezë”, pasoi djegien e Kuranit të hënën dhe javën e kaluar para abasadës irakiane nga grupi në fjalë. Dy incidente të tilla janë regjistruar në Suedi gjatë muajit të fundit.

Të martën, Ministria e Jashtme e Turqisë i dënoi ashpër “sulmet e vazhdueshme” ndaj Kuranit, duke shtuar se lejimi i këtyre veprimeve nga autoritetet daneze do të thotë se ata nuk e shohin rezultatin e rëndë që mund të kenë. Turqia i bëri thirrje Danimarkës të hënën që të marrë masat e nevojshme për të parandaluar këtë “krim të urrejtjes” kundër fesë islame.

Bahreini thirri të ngarkuaren me punë të Suedisë dhe i dorëzoi asaj një notë proteste kundër lejimit të djegies së Kuranit në Stokholm, tha agjencia shtetërore e lajmeve të atij vendi të martën duke cituar ministrinë e jashtme.

Të hënën, Ministria e Jashtme e Irakut u bëri thirrje të vendeve të BE-së që të “rishqyrtojnë të ashtuquajturën liri të shprehjes dhe të drejtën për të demonstruar” duke theksuar djegien e kopjeve të Kuranit.

Ministria e Jashtme e Egjiptit thirri të martën të ngarkuarin me punë të Suedisë për të dënuar përdhosjen e Kuranit. Danimarka i ka dënuar djegiet si “akte provokuese dhe të turpshme”, por thotë se nuk ka fuqi të bllokojë demonstruesit jo të dhunshëm.

Kryediplomati danez, Lars Lokke Rasmussen, tha të martën se kishte “zhvilluar një telefonatë konstruktive” me homologun irakian Fuad Hussein lidhur me marrëdhëniet mes dy vendeve dhe djegien e Kuranit./voa

 

Fraksion.com