A do nisin republikanët procedurat për shkarkimin e presidentit? Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve nuk e përjashton
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy thotë se republikanët po shqyrtojnë mundësinë për nisjen e një hetimi që do të çonte në ngritjen e akuzave për shkarkimin e Presidentit Joe Biden lidhur me pretendimet e paprovuara, për shkelje ligjore lidhur me financat. Komentet e tij vijnë ndërsa zoti McCarthy përballet me një trysni të madhe brenda të republikanëve për të dëshmuar mbështetje për Donald Trump-in, përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024.
Gjatë një interviste të hënën për rrjetin televiziv ‘Fox News’, zoti McCarthy tha se pikëpyetjet e ngritura nga republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve në lidhje me financat e familjes Biden, duhet të hetohen. Po ai pranoi se deri më tani, hetimet e kryera nga komisionet e kësaj Dhome, nuk kanë dëshmuar se ka patur ndonjë shkelje. Megjithatë zoti mCCarthy shtoi se një hetim i lidhur me procedurat për shkarkimin e presidentit, “do t’i jepte Kongresit fuqi më të madhe për të siguruar pjesën tjetër të informacionit të nevojshëm”.
Përpara se Dhoma e Përfaqësuesve të votojë për ngritjen e akuzave që synojnë shkarkimin e Presidentit, procesi paraprihet nga një hetim. Kohëzgjatja e tij është në dorë të Dhomës së Përfaqësuesve, çka mund të shtrihet potencialisht gjatë gjithë sezonit të fushatës.
Në komentet e tij të shkurtra për rrjetin televiziv ‘Fox News’, zoti McCarthy tha se Dhomës së Përfaqësuesve i nevojitet informacion rreth asaj që po ndodh me financat e familjes Biden.
“Ne do ta ndjekim këtë çështje deri në fund”, tha ai.
Zoti McCarthy nuk ka ofruar mbështetjen e tij për asnjë kandidat republikan që garon për president, as edhe për zotin Trump, i cili dominon mes kandidave të tjerë në garën brenda partisë.
Javën e kaluar, zoti McCarthy hodhi poshtë një njoftim sipas të cilit, ai po shqyrtonte mundësinë për të fshirë të dhënat lidhur me dy procese të iniciuara në Kongres për shkarkimin e Presidentit Dondal Trump kur ai ishte në pushtet, si një mënyrë tjetër për të treguar mbështetjen ndaj tij.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Ian Sams, tha se republikanët kanë treguar se janë të gatshëm t’i vihen pas presidentit, pavarësisht nga e vërteta.
“Në vend që të përqendrohen tek çështjet reale që amerikanët duan që ne të trajtojmë, si vazhdimi i uljes së inflacionit ose krijimi i vendeve të punës, republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve i japin përparësi këtyre gjërave”, shkruante zoti Sams në rrjetin Twitter.
Republikanët e Kongresit i kanë shtuar hetimet ndaj djalit të Presidentit Biden, Hunter Biden. Ata po gërmojnë në financat e familjes, veçanërisht në pagesat që zoti Hunter Biden ka marrë nga ‘Burisma’, një kompani ukrainase energjie, emri i së cilës doli gjatë procesit të parë për shkarkimin e Presidentit Trump.
Zoti Hunter Biden ka arritur një marrëveshje me prokurorët për t’u deklaruar fajtor lidhur me akuzat për mospagim të tatimeve mbi të ardhurat për disa vite. Ai pritet të dalë këtë javë përpara gjykatës.
Por republikanët vazhdojnë të hetojnë rreth një teorie të hedhur nga një informator i FBI-së, lidhur me Burisma-n, pavarësisht se ajo është hedhur poshtë si e pavërtetë. Informatori i paidentifikuar ka pohuar se në vitin 2015 dhe 2016, zyrtarët e kompanisë ‘Burisma’, i ofruan zotit Biden dhe djalit të tij Hunter, nga 5 milionë dollarë secilit, në këmbim të ndihmës së tyre, për të shkarkuar një prokuror ukrainas, i cili supozohej se po hetonte kompaninë.
Në vitin 2020 Departamenti i Drejtësisë që drejtohej nga Prokurori i Përgjithshëm i emëruar nga zoti Trump, William Barr, nisi një shqyrtim të këtyre pretendimeve. Hetimi u mbyll tetë muaj më vonë, për shkak të provave të pamjaftueshme për shkelje ligjore.
Megjithatë, javën e kaluar Senatori republikan Chuck Grassley, publikoi një dokument të FBI-së, të ashtuquajturin ‘FD-1023’, me pretendime të paverifikuara të informatorit të FBI-së, duke ofruar një vështrim të plotë publik mbi akuzat.
Zoti Grassley dhe Kryetari i komisionit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve James Comer, kërkuan hetim të mëtejshëm mbi çështjen. Zoti Comer thirri zyrtarisht për të dëshmuar zyrtarë të FBI-së lidhur me dokumentin. Demokratët e komisionit Mbikëqyrës i hodhën poshtë si të pavërteta akuzat.
Ata vunë theksin tek të tjera dokumente, përfshirë dhe deklaratat e Lev Parnas-it, një ish-bashkëpunëtor i avokatit të zotit Trump, Rudy Giuliani, i cili pretendonte se kishte informacion të dorës së parë, për disa nga bisedat që ishin zhvilluar, e që rrëzonin pretendimet e informatorit. Zoti Parnas ka thënë gjithashtu se një nga zyrtarët e Burisma-s i kishte thënë atij, se pretendimet nuk ishin të vërteta.
Sipas demokratëve nuk ishte vetëm zoti Biden ai që po kërkonte shkarkimin e prokurorit ukrainas Viktor Shokin, por edhe aleatët e tjerë perëndimorë kishin ngritur gjithashtu shqetësime, se zoti Shokin po dështonte të hetonte korrupsionin në Ukrainë.
Kryetari i Komitetit Kombëtar Demokrat Jaime Harrison, tha në një deklaratë se zoti McCarthy “po sigurohet që shumica e Dhomës së Përfaqësuesve të fuksionojë pak më shumë se një krah” i fushatës së zotit Trump për zgjedhjet e vitit 2024.
“Është e qartë se Donald Trump-i është kryetari i vërtetë i Dhomës”, tha zoti Harrison. “Kjo është një tjetër manovër politikr që ka për qëllim ta ndihmojë atë”, shtoi ai.
Në procedurën e parë për shkarkimin e zotit Trump, Dhoma e Përfaqësuesve e akuzoi ish-presidentin se ushtroi trysni ndaj Ukrainës, për të gjetur informacione dëmtuese mbi familjen Biden, duke e kërcënuar se do t’i ndalonte ndihmën ushtarake. I gjithë procesi zgjati disa muaj në vitin 2019. Më vonë Senati e liroi zotin Trump nga akuzat, duke e shpallur atë të pafajshëm.
Akuzat e dyta në Dhomën e Përfaqësuesve ndaj zotit Trump u ngritën pas sulmit të dhunshëm të 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit, procesi në këtë rast zgjati më pak dhe përfundoi gjithashtu me shpalljen e zotit Trump të pafajshëm nga Senati./VOA
Fraksion.com