AktualitetPolitikëTë fundit

“Hap i parakohshëm për Shqipërinë”, Xhafaj i prerë: Jam kundër legalizimit të kanabisit, biznes që vret!

Një prej socialistëve që u pozicionua kundër projektligjit “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të tij për qëllime mjekësore dhe industriale”, është ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Teksa abstenoi gjatë votimit të ligjit që i hap rrugë legalizimit të kanabisit mjekësor, Xhafaj tha nga foltorja e Kuvendit se ky biznes vret.

“Që në krye të fjalës time, do ta shpreh qartë, nuk do të votoj pro projektligjit për legalizimin e kanabisit mjekësor. Arsyet të shumta nuk më lejojnë që të jem pro këtij projekti, që ka efekte të mëdha socialiste dhe psikologjike. As e kam parë dhe as më ka parë, dhe e kam luftuar si pakkush dhe më kanë luftuar si pak të tjerë. Ky projektligj më solli shumë gjëra të punës time. Mjaftonin sytë e kujto që donte të shihte. Misioni im ishte që të luftonim kanabisin. Në këto 25 vite, dy vitet që isha ministër 2017-2018 janë vitet që kanë rezultatin më të ulët historik të kultivimit të kanabisit. Pothuajse zero kultivim kanabisi i krahasuar me vitet e mëparshme. Po pse ndodhi dy vite rresh ka arsye të shumta.

E solla këtë shembull për të treguar një nga arsyet se pse sjellja ndaj këtij pr.ligji më bën të jem reflektues. Ju e përligjet politikisht Lazaratin. Historia është e errët dhe për ne socialistët. Ne kemi luftuar me kanabisin, fort gjithë këto vite si mazhorancë. Kanabisi nuk është i legalizuar, as si kultivim dhe as si përdorim. Ai është miku i të varfërve, dhe miku i të rinjve. A kemi ne sot një analizë të plotë se çfarë ka ndodhur me kanabisin?! Nuk kemi një analizë gjithëpërfshirëse. A është gati shoqëria shqiptare për këtë projektligj me rreziqe të mëdha sociale? Mendoj se kjo është qasje e gabuar. Ky është një biznes që vret. Po ashtu vret besimin e njerëzve tek puna dhe njerëzit e punës, Vret përpjekjet tona, të politikës dhe të atyre që punojnë për të ndërtuar një imazh tjetër për Shqipërinë. Mendoj se është një hap i parakohshëm për Shqipërinë”, -tha Xhafaj.

Kujtojmë se bashkë me Xhafajn, abstenuan dhe deputeti socialist, Pandeli Majko si dhe Erion Braçe.

 

 

FJALA E PLOTE
Qysh në krye të fjalës sime dua ta shpreh qartë: Nuk do të votoj PRO projektligjit për legalizimin e kultivimit të kanabisit mjekësor. Arsye të shumta nuk më lejojnë të jem mbështetës i këtij projekti në dukje biznesi por me efekte të shumta sociale, psikologjike, edukative e sigurie. Personalisht kam një marrëdhënie shumë të ndërlikur me objektin e këtij ligji, me produktin e tij KANABISIN. E vërteta se këto kohë, nga viti 2017 e këtej jam marrë me këtë dhe deri më sot as e kam parë dhe as më ka parë, e kam luftuar si pakkush dhe më kanë luftuar në emër të tij si pak të tjerë në këtë vend.

Shumë histori nga puna ime si ministër i Brendshëm, mi risolli edhe njëherë në vëmendje ky projektligj. Panorama e kanabisit në vitin 2016 ishte aq alarmante sa nuk po nevojitej më avion për të bërë konstatime pasi mjaftonin vetëm sytë e kujdo që donte të shihte. Misioni kryesor për mua dhe ekipin tim ishte pikërisht lufta ndaj këtij fenomeni, ckanabizimi i vendit. Situata na kushtoi një luftë frontale dy vjeçarë që nuk njohu mëshirë, nuk njohu kostum a kollare, nuk njohu presion a kërcënime.

Në këto 25 vite që kur kultivohet kanabisi në këtë vend dhe mbahen statistika rreth tij dhe deri më sot që flasim dy vitet që isha Ministër, pra 2017 e 2018 janë vitet që kanë rezultatin historik më të ulët në kultivimin e kanabisit. Kjo jo sipas meje por sipas statistikave zyrtare të policisë së shtetit dhe kryesorja sipas statistikave zyrtare të identifikimit ajror të kanabisit nga misioni i BE realizuar përmes Guardia di Financa italiane. Në 2018 raportimi i GF tregon një rezultat historik të pabesueshëm – pothuajse zero kultivim kanabisi – i pakrahsueshëm me vitet e mëparshme dhe po ashtu edhe me vitet nga 2018 e deri më sot. Pse ndodhi kjo gjë në dy vite rresht ka arsye të shumta dhe meriton një analiz të vecantë, por nuk është qëllimi im sot këtu. E solla këtë shembull jo vetëm për të risjell në kujtes një FAKT TË NJOHUR ZYRTARISHT, PUBLIKISHT e NDËRKOMBËTARISHT por më shumë për të treguar një nga arsyet përse sjellja e këtij pligji dhe votimi për të më bën të jem reflektues në qëndrimin tim.

II.
Historia e kanabisit në këtë vend është nga më të ndërlikuarat dhe dëshmia më e plotë e historisë së rritjes së krimit ndër vite, qasjen e shtetit në përballjen me të, lidhjen midis krimit dhe politikës, Një histori që nuk i bën fare nder politikës ndër vite. Ju demokratëve në radhë të parë që e nisët rrugëtimin e këtij aktiviteti të paligjshëm, që e lejuat, e legalizuat pa ligj dhe e përligjët politikisht kanabisin dhe simbolin e tij Lazaratin duke e konsideruar një vëndimmarrje politike të qëllimshme mosndërhyrjen ndaj këtij fenomeni. Padyshim historia është e dhimbshme edhe për ne socialistët me disa gropa të errëta në këto vite me gjithë angazhimin dhe sakrificat e mëdha të strukturave të policisë së shtetit të cilët janë të vetmet që janë përballur realisht e me pasoja për ta në gjithë këto vite. Ne si maxhorancë kemi luftuar me kanabisin, kemi luftuar fortë gjithë këto vite. Ky është realitet. Kanabisi aktualisht nuk është i legalizuar as si kultivim dhe as si përdorim. Tashmë si kultivim nuk është më biznes i grupeve të mëdha kriminale, por përpjekje e grupeve të reja kriminale lokale për tu pasuruar e rritur përmes tij. Ai nuk është legalizuar në përdorim, por është fakt se është midis nesh, tashmë si “miku” i të varfërve dhe veçanërisht të rinjve, pasi ata më të pasurit dhe më të fortët financiarisht e kanë rritur nivelin dhe hequr nga tavolina e tyre si produkt.

A kemi ne sot një analizë të plotë se cfarë ka ndodhur me kanabisin nga vitet 1990 e këtej, se si është sot marrëdhënia e shoqërisë dhe shtetit me të, cilat janë pasojat kriminale, sociale, kulturore dhe ekonomike që janë krijuar prej tij dje dhe sot dhe se cfarë mund të bëjmë me këtë fenomen dhe pasojat e tij sot e në të ardhmen? Padyshim nuk e kemi një analizë të tillë kaq gjithpërfshirëse, por edhe nëse ka disa studime e analiza ato e shohin atë kryesisht nga këndvështrimi penal e policor. Një analizë e thellë do të ishte e domodoshme për tu përballur me këtë fenomen dhe padyshim fillesa, baza e domosdoshme mbi të cilën mund të shihnim edhe zgjidhjet e mundshme. Këshillimi popullor edhe sikur të jetë tërësisht realist, në këndvështrimin tim, nuk përbën argument për të justifikuar hedhjen e këtij hapi kaq të fortë në këto momente, efektet dhe pasojat e të cilit janë ekonomike, por janë edhe sociale, psikologjike, kulturore e ligjore.

Nuk dua të paragjykoj qëllimin e mirë të propozuesve të këtij pligji. Për ta ndjekja e këtij trendi (sic citohet në relacion) mund të jetë një gjë interesante, se na bën të krahasueshëm edhe me më të mëdhenj se ne. Mund të jetë edhe një aktivitet fitimprurës. Pra më shumë para. Padyshim askush nuk e mohon se kanabisi për qëllime mjekësore është fitimprurës.Po pyetja shtrohet? A është ky aktiviteti financiar që na duhet në këto momente, a është gati shoqëria jonë për këtë lloj aktiviteti me risqe të mëdha sociale, edukative e sigurie? Ky është mesazhi që na duhet ne në këto momente për të rinjtë e të rejat dhe prindërit e tyre, për ata që e shohin këtë si rrugë pasurimi të shpejtë apo ata që e shohin si produkt konsumi? Personalisht besoj se është qasja e gabuar.

Po dikush mund të thotë se ky projektligj nuk legalizon kanabisin dhe nuk do përdoret në vendin tonë. Është thjesht biznes. Po dakort, por është një biznes që vret. Kryesorja vret besimin tek puna dhe njerëzit e punës. Vret edhe përpjekjen tonë, të të gjithëve e jo vetëm të politikës për të ndërtuar një imazh tjetër për vendin tonë dhe shqiptarët që jetojnë këtu e kudo në botë.

Jam përpjekur ta shoh edhe unë këtë projekt si biznes të nevojshëm, si një mundësi për të fituar më shumë në buxhetin e shtetit. E prapë më dalin para disa pyetje, përgjigjet e të cilave nuk më bindin në këto momente dhe kështu si është ndërtuar ky projektligj. Nëse është thjesht aktivitet biznesi përse duhet licensuar e kontrolluar ky operacion nga Ministria e Shëndetësisë? Ky është një biznes prodhimi e kultivimi për eksport dhe jo përpunimi mjekësor në territorin e vendit tonë!! Nëse ky është një biznes në fillimet e tij edhe në vende më të mëdha, më të fuqishme dhe më të sigurta se ne përse nxitojmë për kaq shumë hektarë tokë dhe kaq shumë licensa kur mund të fillonim me shumë më pak dhe të shihnim efektet, se si do ta menaxhonim e kontrollonim këtë aktivitet me shumë risqe, të krijonim përvojë veçanërisht me fuqizimin e institucioneve të kontrollit administrativ e policor dhe gradualisht hidhnim hapat e tjerë. Po duam të fitojmë, kemi nevojë për para, për vende pune etj të mira të tjera të kësaj natyre thuhet në argumentat e relacionit megjithëse nuk jepet asnjë shifër konkrete bazuar qoftë edhe në përvojat e atyre që e kanë aplikuar se cilat janë konkretisht këto përfitime kaq të mëdha!!

Nuk po e paragjykoj, por po shtroj pyetjen. Kush është i fituari i madh këtu, shteti apo biznesi privat? Kush është i fituari i madh këtu, biznesi i disa individëve apo qytetarët, njerëzit e thjeshtë që deri dje kanë tentuar të fitojnë përmes këtij biznesi duke rrezikuar edhe jetën e tyre? Sigurisht që këtu mund të ketë të fituar por të fituar janë vetëm ata që pse paskan 3 vjet përvojë fiks sa ka vite ky biznes në Maqedoni, do të marrin licensën për këtë lloj biznesi duke gëzuar minimum 51% të tij se 49% mbeten për partnerët lokal të cilët sigurisht nuk do jenë ata që e kanë bërë deri dje këtë biznes në mënyrë të paligjshme se sipas hartuesve ligji ka kritere të forta licensimi sic thuhet në relacion!!.

Po a mund të bëhet ndryshe mund të pyes dikush. Unë besoj se PO. Le ta marri përsipër shteti këtë biznes duke qënë shteti aksioner me 49% dhe pse jo edhe më shumë se aq. E kështu nuk kemi nevojë të preokupohemi se kush e mori licensën, të fuqizojmë disa individ me përvojë në këtë fushë e ndonjë syresh që mund të përfitoj nga të carat e sistemit, ndër ata që deri dje i kemi pasur përball policisë dhe për këtë shkak shumë policë, kryepleq apo qytetarë të thjeshtë i janë nënshtruar ndjekjes dhe ndëshkimit penal.

Ja japim këtë biznes përshembull pushtetit lokal me kushtin që të gjitha fitimet të shkojnë si mbështetje për arsimin, për strehimin social dhe si incentiva për familjet e reja për të dekurajuar kështu braktisjen qyteteve dhe fshatrave të largët. Mos u cudisni pse them pushtetit lokal nëse dëgjoni se një bashki si Viena ka mbi 500 nd/je biznesi, pronë publike të menaxhuara prej saj. Se ndryshe pasi të ngihet kartoni jeshil do kemi veç ca individë fatlum që pasurohen në mënyrë të ligjshme me licensim nga shteti për kultivim kanabisi në hektar të tërë dhe ca të tjerë që do vazhdojnë të futen në burg pse lejuan të kultivohet kanabis apo ca të tjerë pse shkuan e punuan si argat me mëditje në parcela kanibisi pa zot.

Personalisht e konsideroj një hap shumë të parakohshëm miratimin e këtij projektligji për arsyet mësipërme. Edhe sepse pavarësisht qëllimeve përfituese nga ky biznes unë do dëshiroja që vendi ynë të mos njihet si vend i prodhimit të kanabisit, që kanabisi të mos perceptohet si faktori i zhvillimit tonë ekonomik e social dhe as si vend atraktiv për të shijuar kanabisin sic thonë disa të cartur mendërisht, por si vend atraktiv turistik, me bukuri të rralla natyrore dhe me zhvillim të mbështetur te puna dhe mendja e njerëzve punëtor e të mencur të këtij vendi. Le të bëjmë disa ndryshime që ta bëjmë këtë projekt, aq të diskutueshëm dhe me shumë risqe, të dobishëm dhe me interes për qytetarët, njerëzit e thjeshtë të këtij vendi. Me pak vullnet të mirë mund të bëjmë gjënë e duhur, në mënyrën e duhur dhe kryesorja për njerëzit e duhur.

Faleminderit!

 

Fraksion.com