Tensionet në Kuvend, ndërpritet për 30 minuta seanca
Debatet e forta mes opozitës e maxhorancës kanë sjellë ndërprerjen e seancës plenare, e fundit për këtë sesion parlamentar. Janë disa temat që kanë sjellë akuza dhe kundërakuza mes palëve.
Seanca nisi me debate pasi maxhoranca futi në rend dite projektligjin për Akademinë e Shkencave dhe ndryshimi i rendit të ditës nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla solli revoltën e opozitës, e cila tha se nuk ishin të mjaftueshme votat.
Opozita ka kundërshtuar diskutimet, ndërsa kërkon interpelancë me Ramën për inceneratorët. Sipas Nikollës, rendi i ditës u ndryshua me 69 vota pro, gjë që u kundërshtua nga deputetët e opozitës duke thënë se nuk kishte kuorum, e se kishte më pak deputetë të pranishëm në sallë.
“Ishin më shumë se 54 deputetë”, tha më tej Nikolla gjatë seancës.
Më tej, fjalën e mori deputeti i PD Edmond Spaho i cili kërkoi që votimi të bëhej në mënyrë elektronike.
“Ju falsifikuat rezultatin e votimit, kthejeni dhe bëjeni me votim elektronik. Kur falsifikoni në mes të ditës votat, imagjinoni se çfarë i bëni kutive të votimit’- tha deputeti i PD-së, Edmond Spaho.
Deputetët e PD insistuan për interpelancën me kryeministrin Rama, i cili mungon në seancë. Ndërkohë jashtë parlamentit studentët presin të hyjnë në seancë për të folur për projektligjin për Mjekësinë dhe kjo çështje është bërë sërish temë debati dhe deputetët e opozitës kanë rrethuar foltoren.
Kjo ka sjellë dhe ndërprerjen e seancën nga kryesuesja, nënkryetarja e parlamentit Ermonela Felaj.
Në seancën e sotme do të diskutohen raportet vjetore të disa institucioneve shtetërore, si dhe do të shqyrtohen aktet normative dhe projektligje të rëndësishme.
Rend dite:
Raport i veprimtarisë vjetore të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2022.
Raport i veprimtarisë vjetore të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2022
Raport i veprimtarisë vjetore të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare vitin 2022.
Akt normativ nr. 2, datë 7.6.2023 “Për disa shtesa në ligjin nr.29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat””.
Akt normativ nr. 3, datë 21.6.2023 “Për disa ndryshime në aktin normativ nr.1, datë 20.3.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për pjesëmarrjen e personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Sudanin e Jugut (UNMISS)”, miratuar me ligjin nr.23/2019”
Akt normativ nr. 4, datë 21.6.2023 “Për pjesëmarrjen e personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Abyei (UNISFA)”.
Projektligj “Për trajtimin e veçantë të studenteve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”
Projektligj “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale.
Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.113/2020, “Për shtetësinë””
Projektligj “Për disa ndryshime në ligjin nr.9917, datë 19.5.2008, “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit”, të ndryshuar”
Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.157/2013,”Për masat kundër financimit të terrorizimit”, të ndryshuar”
Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Projektligj “Për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, me qëllim përdorimin e tyre për interes publik apo strehim social, si dhe zbutjen e pasojave sociale të shkaktuara”
Projektligj “Për një ndryshim dhe disa shtesa në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, i ndryshuar.
Fraksion.com