AktualitetPolitikëTë fundit

Tensione në Kuvend, Noka kalon Gardën dhe i hedh kërkesën e studentëve Felajt, nënkryetarja: S’ka nevojë të bëni cirk, çojeni në sekretari

Seanca e sotme plenare është shoqëruar me tensione dhe debate të forta mes opozitës dhe mazhorancës në lidhjeme projektligjin për studentët e mjekësisë. Deputetja Zheni Gjergji kërkoi nga kryetarja e Kuvendit ngritjen e një grupi pune me qëllim që të bisedojë me studentët që ata të jenë të pranishëm në seancë

“Sapo vijmë nga një takim me studentët të cilët kërkojnë të jenë pjesë e kësaj seance ku po diskutohet e ardhmja e tyre. Ata kanë nisur një kërkesë ditën e djeshme drejtuar Kryetares Lindita Nikolla, ku kërkojnë të marrin pjesë në seancë dhe ende nuk kanë marrë ende një përgjigje”, tha Gjergji.

Në përfundim të fjalës së deputetes, ishte kolegu i saj Flamur Noka i cili u përpoq t’i dorëzonte kërkesën e studentëve nënkryetares së Kuvendit, Ermonela Felaj. Flamur Noka tentoi të kapërcente karriget e kabinetit qeverisës për të dorëzuar shkresën.

Në atë moment ndërhyri Garda dhe deputetit të PD-së iu kërkua që kërkesën ta dorëzonte në sekretarinë e Kuvendit.

“Ka sekretari, nuk jepet duke kapërcyer karriget kërkesa. I jepet sekretarisë dhe i përcillet drejtuesit të seancës. S’ka nevojë të bëni cirk, mund të sillemi si njerëz dhe të mos i vëmë në pozitë punonjësit e Gardës se nuk kanë lidhje me politikën por me pozicionin e tyre të punës”, tha Felaj.

 

Fraksion.com