AktualitetBota+Të fundit

Protestuesit në Izrael bllokojnë autostradat dhe stacionet e trenave

Dhjetëra mijëra protestues bllokuan të martën autostradat dhe stacionet e trenave si dhe u mblodhën në Tel Aviv gjatë një dite protestash mbarëkombëtare kundër planit të debatueshëm të Kryeministrit Benjamin Netanyahu për reformimin e gjyqësorit.

Protestat, tashmë në muajin e shtatë, janë shtuar gjatë ditëve të fundit ndërsa zoti Netanyahu dhe aleatët e tij në parlament po përparojnë me planin e reformës. Projektligji i parë i kësaj pakete – që synon të kufizojë kompetencat mbikëqyrëse të Gjykatës së Lartë – mund të bëhet ligj që javën e ardhshme.

Trazirat lanë disi në hije edhe vizitën në Shtëpinë e Bardhë të presidentit të Izraelit, Isaac Herzog, i cili u ftua në Uashington për të festuar 75 vjetorin e Izraelit.

Zoti Herzog, një politikan i qendrës, është përfshirë në përpjekjet jopublike për të ndërmjetësuar një kompromis për reformën e gjyqësorit, që ka tensionuar marrëdhënien mes zotit Netanyahu dhe Presidentit amerikan Joe Biden. Nuk ishte e qartë nëse zoti Herzog, një ish-rival politik i zotit Netanyahu dhe që ka treguar pak entuziazëm për planin e reformimit, do të mundohej t’i afronte dy udhëheqësit.

Zoti Netanyahu dhe aleatët e tij thonë se reforma është e nevojshme për të vendosur nën kontroll pushtetin e një gjyqësori të pazgjedhur me votë – në veçanti Gjykatën e Lartë – që ata besojnë se bën ndërhyrje të tepruara tek vendimet e qeverisë.

Kundërshtarët e tyre, që përfaqësojnë segmente të gjera të shoqërisë izraelite, thonë se plani është një zaptim pushteti nga zoti Netanyahu dhe aleatët e tij ultra-ortodoksë, që do të shkatërrojë sistemin delikat të kontrollit dhe balancës në vend. Ata gjithashtu thonë se kryeministri, i cili po gjykohet për akuza korrupsioni, dhe aleatët e tij kanë pakënaqësi të ndryshme ndaj sistemit gjyqësor.

Gjatë të martës të mbiquajtur “dita e ndërprerjes”, protestuesit bllokuan autostradat kryesore dhe u mblodhën përpara bursës së Izraelit dhe shtabit të ushtrisë. Drejtuesit e sipërmarrjeve kanë paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se një sistem i dobësuar ligjor do të largojë investitorët e huaj. Rezervistët në njësi kyçe ushtarake, ndër ta pilotë të forcave ajrore dhe agjentë të luftës kibernetike, kanë kërcënuar se nuk do të paraqiten në detyrë.

“Kjo qeveri është krejtësisht e çmendur. Kemi frikë për demokracinë tonë, për gjithçka që kemi ndërtuar – kjo është arsyeja pse ne të gjithë jemi këtu duke luftuar”, tha Itai Bar Natan, 48 vjeç, drejtues në fushën e teknologjisë së lartë, i cili mbante një flamur me mbishkrimin “Bashkëluftëtarët”, një slogan i përdorur nga rezervistët e ushtrisë gjatë protestave.

Demonstruesit, shumë prej tyre rezervistë, bllokuan një nga hyrjet në komandën ushtarake të Izraelit në qendër të Tel Avivit.

Në hyrjen e një baze ushtarake në Izrael (18 korrik 2023)
Në hyrjen e një baze ushtarake në Izrael (18 korrik 2023)

Protestuesit vërshuan drejt stacioneve të trenave gjatë orës së pikut të pasdites. Policia mbylli një stacion qendror treni në Tel Aviv për të parandaluar hyrjen e protestuesve. Shumë u binin borive ose mbanin lart flamujt izraelitë bardhë e blu. Më vonë të martën ishte planifikuar një protestë masive në qendër të Tel Avivit.

Jashtë bursës së Tel Avivit, demonstruesit ndezën shashka tymuese, u binin daulleve, brohorisnin dhe mbanin pankarta që shkruanin “shpëtoni vendin tonë të ri”.

“Erdhëm tek bursa sepse ky është simboli i asaj që kjo çmenduri e diktaturës po i bën ekonomisë së Izraelit”, tha protestuesja Tzvia Bader. “Jemi bërë një vend i botës së tretë. Nuk ka asnjë shans për ekonominë tonë”.

Të tjerë demonstruan jashtë selisë së Histadrutit, sindikatës më të madhe të punëtorëve të Izraelit, duke kërkuar që organizata të bëjë thirrje për një grevë të përgjithshme – një veprim që mund të paralizojë ekonominë e vendit. Një grevë nga kjo sindikatë në mars ndihmoi që zoti Netanyahu ta pezullonte në atë kohë planin për reformën gjyqësore.

Shoqata Mjekësore e Izraelit njoftoi gjithashtu se mjekët do të bëjnë të mërkurën një grevë dy-orëshe në shenjë proteste ndaj legjislacionit të propozuar. Operacionet e urgjencës do të vazhdojnë si normalisht, tha Dr. Hagai Levine, një ish-drejtues i shoqatës së mjekëve të shëndetit publik të Izraelit.

Policia tha se të paktën 37 persona u arrestuan për shkaktimin e trazirave publike.

Zoti Netanyahu kryeson qeverinë më ultranacionaliste dhe më konservatore nga pikëpamja fetare në historinë 75-vjeçare të Izraelit.

Plani i tij i reformës ka ekspozuar ndasi të gjera në shoqërinë izraelite – kryesisht të bazuara tek dallimet fetare dhe ekonomike.

Aleatët e zotit Netanyahu janë të motivuar nga një sërë pakënaqësish ndaj sistemit gjyqësor.

Aleatët e tij ultra-ortodoksë, për shembull, kanë frikë se gjykatat do të heqin përjashtimet që ua lejojnë të rinjve besimtarë të mos bëjnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak, nëse dëshirojnë të ndjekin studime fetare. Të tjerë kanë folur kundër të drejtave për personat e komunitetit LGBTQ+, ndërkohë që disa ministra të kabinetit janë udhëheqës kolonësh të vijës së ashpër, të cilët vazhdojnë të jenë të zemëruar për tërheqjen e Izraelit nga Rripi i Gazës në 2005 dhe akuzojnë gjykatat se mbajnë anën e palestinezëve.

Protestuesit, nga ana tjetër, janë përgjithësisht nga shtresa e mesme laike e Izraelit, të cilët besojnë se qeveria po planifikon të shtypë mënyrën e tyre të jetesës dhe traditat liberale të vendit.

Koalicioni qeverisës mori pushtetin në dhjetor pasi fitoi zgjedhjet e pesta të vendit në më pak se katër vjet. Zgjedhjet e fundit, ashtu si katër të mëparshmet që përfunduan në ngërç politik, u perceptuan si referendume mbi aftësinë e zotit Netanyahu për të shërbyer si kryeministër ndërkohë që vazhdon të jetë në proces gjyqësor.

Protestat masive të përjavshme bënë që zoti Netanyahu ta pezullonte në mars planin për reformën, por ai e riktheu atë muajin e kaluar, pasi bisedimet për kompromis me opozitën politike dështuan.

Parlamenti izraelit dha miratimin fillestar javën e kaluar për një pjesë kyçe të reformës, që do të pengonte Gjykatën e Lartë të shfuqizonte vendimet që i konsideronte “të paarsyeshme”. Koalicioni i zotit Netanyahu e miratoi atë të martën, duke refuzuar 26 mijë kundërshtime ndaj projektligjit, të paraqitura nga ligjvënësit e opozitës.

Ligji është konceptuar që të shërbejë si një mbrojtje kundër korrupsionit dhe emërimeve të papërshtatshme të mbështetësve të pakualifikuar politikë në postet kyçe. Por aleatët e zotit Netanyahut e shohin atë si një shkelje të kompetencave të zyrtarëve të zgjedhur. Gjyqtarët cituan këtë klauzolë në fillim të këtij viti kur thanë se emërimi i një politikani veteran në kabinet ishte i paarsyeshëm për shkak të dënimit të tij në të kaluarën për pranim ryshfeti dhe të pranimit të fajësisë me marrëveshje për shkelje tatimore.

Projektligji ka marrë tashmë miratimin paraprak në parlament dhe është planifikuar të marrë miratimin zyrtar javën e ardhshme, nëse zoti Netanyahu nuk vendos ta pezullojë.

Ligje të tjera të propozuara në kuadrin e planit të reformës do t’u jepnin ligjvënësve një kontroll më të madh mbi emërimin e gjyqtarëve dhe do t’i jepnin parlamentit fuqinë për të rrëzuar vendimet e gjykatave të larta dhe për të miratuar ligje që nuk mund të shqyrtohen nga gjyqësori.

Protestat vazhdonin edhe ndërsa zoti Herzog mbërrinte në Uashington, ku u takua të martën me Presidentin Biden dhe do të mbajë një fjalim përpara Kongresit të mërkurën.

Vizita ka tërhequr vëmendjen për shkak të refuzimit të deritanishëm të Presidentit Biden për ta ftuar zotin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë. Vizita të tilla janë praktika standarde për kryeministrat izraelitë. Por Presidenti Biden ka thënë se është i pakënaqur me qeverinë e re të zotit Netanyahu – si për shkak të reformës, ashtu edhe për shkak të zgjerimit të shpejtë të vendbanimeve në Bregun Perëndimor, të ndërtuara në territoret e pushtuara, pronësinë mbi të cilat e pretendojnë palestinezët.

Presidenti Biden foli me Kryeministrin Netanyahu me telefon të hënën dhe e ftoi atë për ta takuar në Shtetet e Bashkuara këtë vjeshtë. Por ai nuk tha nëse takimi do të zhvillohej në Shtëpinë e Bardhë apo në një vendndodhje neutrale, siç është p.sh. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara./voa

 

Fraksion.com