Prangosen dy inspektorë mjedisi, shpërdoruan detyrën me korrupsion pasiv
Dy inspektorë të Mjedisit dhe Pyjeve pranë IKMT Berat janë arrestuar për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike, informoi sot policia e Beratit.
Ndaj dy inspektorëve të Mjedisit dhe Pyjeve pranë IKMT, Gjykata e Shkallës së Parë në Berat ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg.
“Nga veprimet e kryera gjatë periudhës hetimore dyshohet se këta shtetas, me veprime ose mosveprime, kanë favorizuar shtetas dhe subjekte të ndryshme të ushtronin veprimtaritë e tyre në kundërshtim me ligjin” informon policia e Beratit.
Të arrestuar
Elis Bektashi, 40 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inspektor i Mjedisit dhe Pyjeve pranë IKMT Berat, pasi dyshohet se ka konsumuar elemente të veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që kryejnë funksione publike;
Alban Dylgjeri, 50 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inspektor i Mjedisit dhe Pyjeve pranë IKMT Berat, pasi dyshohet se ka konsumuar elemente të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Arrestimet janë kryer pas një hetimi 2 vjeçar me metoda proaktive në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për goditjen e paligjshmërive që kryhen nga personat që ushtrojnë funksione publike.
Fraksion.com