AktualitetBota+Të fundit

Personi i ndaluar në Korenë e Veriut, është ushtar amerikan

Një ushtar amerikan që po përballej me masa disiplinore në SHBA kaloi kufirin duke shkuar në Korenë e Veriut të martën dhe besohet të jetë në paraburgim, thanë zyrtarët amerikanë.

Incidenti ndodh në një kohë kur tensionet mbi programin bërthamor të Koresë së Veriut janë intensifikuar.

Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin shprehu shqetësim për ushtarin.

“Ka ende shumë gjëra që po përpiqemi të mësojmë,” tha zoti Austin në një konferencë shtypi. “Ne besojmë se ai është në paraburgim (në Korenë e Veriut) dhe kështu po monitorojmë dhe studiojmë nga afër situatën dhe po punojmë për të njoftuar të afërmit e ushtarit.”

Ushtari kaloi kufirin gjatë një turi civilësh në zonën e çmilitarizuar. Një zyrtar amerikan tha se ushtari kishte kaluar në Korenë e Veriut “me dashje dhe pa autorizim”.

Koloneli Isaac Taylor, zëdhënës i Forcave të SHBA-së në Korenë e Jugut, tha se ushtria “po punonte me homologët në ushtrinë e Koresë e Veriut për të zgjidhur këtë incident”.

Reuters nuk mundi të konfirmonte menjëherë identitetin e ushtarit, por dy zyrtarë amerikanë, të cilët folën në kushte anonimiteti, thanë se ai do të përballej me masa disiplinore nga ushtria amerikane.

E përditshmja e Koresë së Jugut Dong-a Ilbo, duke cituar ushtrinë e Koresë së Jugut, e identifikoi personin si Travis King. Gazeta më vonë e hoqi emrin.

CBS News tha se para incidentit ushtari po shoqërohej për t’u dërguar në Shtetet e Bashkuara për arsye disiplinore, por pasi kaloi sigurinë e aeroportit, arriti të largohej dhe arriti të bashkohej me turin e civilëve në në fshatin kufitar Panmunxhom në zonën e çmilitarizuar.

Shtëpia e Bardhë, Departamenti i Shtetit, Pentagoni dhe misioni i Koresë së Veriut në Kombet e Bashkuara në Nju Jork nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Fshati Panmunxhom, i vendosur brenda zonës së çmilitarizuar prej 248 kilometrash, mbikëqyret bashkërisht nga Komanda e OKB-së dhe Koreja e Veriut, që nga krijimi i kësaj zone në fund të Luftës Koreane.

Aty ka pasur herë pas here incidente me armë, por zona ka qenë gjithashtu një vend ku shpesh janë mbajtur bisedime, si dhe është një pikë e njohur turistike.

Fshati Panmunxhom ka tërhequr vizitorë nga të dyja anët, të cilët duan të shohin kufirin e fundit të mbetur që nga Lufta e Ftohtë. Në këtë fshat nuk jetojnë civilë./voa

 

Fraksion.com