Ish-shefi i AKI-së dënohet me 4 vjet e 8 muaj burgim
Ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) Driton Gashi është dënuar me katër vjet e tetë muaj burgim për dëbim të paligjshëm të gjashtë shtetasve të Turqisë që kishin lejeqëndrim dhe leje pune në Kosovës, në atë që njihet si rasti “Gylenistët”.
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prej ku iu shqiptua dënimi, u tha se Gashi shpallet fajtor për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës thuhet se Gashi ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke mos i përmbushur detyrat sipas kompetencës duke rekomanduar revokimin e lejeve të qëndrimit dhe mosdhënien e lejes për njërin prej tyre, “për arsye se kinse ata paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, fakt që nuk është provuar fare në procedurë të zbatuar në bazë të ligjit”.
Në anën tjetër, nga akuza janë liruar ish-drejtor i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Valon Ramadani dhe ish-drejtori i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare, Rrahman Sylejmani.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 24 shkurt 2021, kishte ngritur aktakuzë kundër këtyre tre ish-zyrtarëve nën dyshimet për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe privimit të kundërligjshëm të lirisë”.
Aktakuza u ngrit pasi më 29 mars të vitit 2018, përmes një aksioni të gjerë të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, në orët e hershme të mëngjesit u arrestuan gjashtë shtetas turq.
Dëbimi i tyre është thënë se është bërë përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova.
Arrestimit dhe dëbimit i parapriu revokimi i lejeve të tyre të qëndrimit për të cilin veprim më vonë gjykata tha se ishte i jashtëligjshëm.
Nga pesë shtetasit turq, tre prej tyre posedonin leje të përhershme të qëndrimit, përkatësisht Mustafa Erdem, Yusuf Karabina, Karhaman Demirez, ndërsa dy prej tyre Hasan Hysein Demir dhe Cihan Ozkan kishin leje të përkohshme.
Familjet e gjashtë shtetasve turq ngritën një padi ndaj institucioneve të Kosovës në vitin 2018 për arrestim dhe ndalim arbitrar të familjarëve të tyre.
Disa nga familjarët kanë kërkuar azil në Kosovë e disa të tjerë janë larguar drejt vendeve evropiane.
Gjashtë shtetasit turq të arrestuar në Kosovë dhe të dëbuar në Turqi në mars 2018, u dënuan me 56 vjet dhe 7 muaj e gjysmë burgim në total.
Gjykatat në Turqi, shumicës prej tyre iu shqiptuan nga 8 vjet burgim, kurse njërit, Mustafa Erdem, drejtori i përgjithshëm i institucionit “Gulistan” në Kosovë, më 5 qershor iu shqiptua dënim prej 15 vjetësh.
Shkollat “Mehmet Akif” në Kosovë i përkasin Institucionit Arsimor “Gulistan”.
Ky i fundit ka kopshte, institucione parashkollore, shkolla fillore dhe të mesme në gjithë Kosovën.
Besohet se ato janë të frymëzuara nga Lëvizja Hizmet e klerikut fetar turk Fethullah Gulen, të cilin presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e fajëson për orkestrimin e përpjekjes për grushtshtet në Turqi, në vitin 2016./REL
Fraksion.com