AktualitetTë fundit

Atentat në Balldren të Lezhës, vritet anëtari i fisit Lekstakaj, u qëllua teksa dilte nga marketi!

Një atentat mafioz (19 korrik) është regjistruar pasditen e kësaj të mërkure, në fshatin Balldren të Lezhës ku u ekzekutua me breshëri plumbash Nikolin Marku Lekstakaj. 42-vjeçari u qëllua me armë zjarri teksa po dilte nga ambientet e një marketi të vogël ku bleu një pije freskuese (coca-cola) në aksin Lezhë-Shkodër ekzaktësisht rreth orës 18:30. Pista e parë për policinë është hasmëria, pasi dyshohet se 42-vjeçari është vrarë për të marrë hakun e 51-vjeçarit Ardian Nikulaj që u vra në Shëngjin, më 19 prill fiks 3 muaj më parë.

Dy autorët e maskuar kishin organizuar një atentat të mirfilltë mafioz dhe e kishin vëzhguar viktimën hap pas hapi, edhe pse lëvizjet e këtij të fundit ishin të rralla në Lezhë.

Viktima, baba i tre fëmijëve, u qëllua me breshëri plumbash nga një mjet me xhama të zinj në lëvizje dhe mbeti i vdekur në vend, megjithatë duhet theksuar se në vendngjarje nuk ka asnjë gëzhojë. Gjatë këtij momenti, autorët kanë thyer edhe xhamin e makinës për të qëlluar shënjestrën dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes. Atentati ndodhi jo shumë larg shtëpisë së viktimës, që ndodhet po në territorin e fshatit Balldre.

Autorëve, u janë dashur vetëm pak sekonda për të kryer vrasjen dhe më pas të ikin pa lënë gjurmë. Dyshimet e para për hakmarrje të mundshme, u konfirmuan edhe nga kryepolici i Lezhës, Alfred Elezi, vetëm pak minuta pas ngjarjes së rëndë.

Në market nuk kishte klientë të tjerë, përveç shitëses, e cila për fat të mirë nuk është dëmtuar. Gruaja pritet të jap detajet e para mbi ngjarjen para hetuesve të policisë dhe prokurorisë së Lezhës. Pista për hakmarrjen apo gjakmarrjen e mundshme të fisit Nikulaj ndaj Lekstakajve, është kryesore për shkak të mbiemrave që kanë lidhje me të shkuarën, pas një serie të gjatë vrasjesh në të dyja palët.

Ardian Nikulaj ishte i fundit që u vra më 19 prill 2023 në këtë seri të frikshme të nisur që në vitin 1996. Vrasja e Nikulajt u organizua nga Edmond Haxhia, djalë i dajës së Elton Lekstakajt, ndërsa ky i fundit është kushëri i parë me viktimën e sotme Nikolin Marku Lekstakaj. Edmond Haxhia, për të vrarë Ardian Nikulajn pajtoi 5 të huaj, portugezin Ruben Saravia si ekzekutor dhe 4 britanikë në rolin e vëzhguesve.

Historia e hasmërisë mes 2 fiseve që nisi për 1000 lekë

Hasmëria mes fisit Palaj (Lektasaj) dhe Nikulaj e ka zanafillën në vitin 1996 ku anëtarë të familjes Palaj (Lektasaj) kanë ekzekutuar vëllain e Ardian Nikulaj, pas një konflikti të çastit në një pikë karburanti për 1000 lekë karburant. Pas kësaj vrasje në Lezhë janë ekzekutuar në një atentat dy anëtarë të familjes Palaj (Lektasaj). Sot e kësaj dite kjo ngjarje e rëndë e ndodhur disa vite më parë është e pazbardhur dhe s’ka asnjë autor të dënuar nga drejtësia. Mendohet se vrasja e Nikulajt ka ardhur pikërisht në vazhdën e këtyre krimeve për gjakmarrjeje.

Atentat në fshatin Balldren/ Vritet Nikolin Lekstakaj, dyshohet hakmarrje

Atentat në fshatin Balldren/ Vritet Nikolin Lekstakaj, dyshohet hakmarrje

 

Fraksion.com