Kalon për seancë plenare pr/ligji për kanabisin mjekësor
Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, miratoi nen për nen dhe dërgon për seancë plenare, ndryshimet ligjore të cilat i hapin rrugën kultivimit dhe tregtimit të kanabisit mjekësor.
Në nisje të punimeve në komision, mazhoranca dhe opozita patën debat mbi procedurën në të cilën duhet të shqyrtohen ndryshimet ligjore. Gjithçka nisi pasi Kryetarja e Komisionit, Deputetja e Partisë Demokratike, Zheni Gjergji, e cila bëri me dije se në komision kanë mbërritur tre kërkesa për seancë dëgjimore.
“Tre kërkesa për dëgjesë publike, një kërkesë nga koalicioni shqiptarë pro familjes dhe jetës. Fondacioni ‘Jeshilai’, që ka si objekt varësinë nga drogat. Dhe formimi mysliman. Gjithashtu dhe drejtuesi politikë i BE në Shqipëri, ka çuar një kërkesë për dëgjesë me komisionin e punës dhe çështjeve sociale. Ne kemi bërë dëgjesën, elaburimet kanë qenë në platformën e kuvendit të Shqipërisë. Unë jam e hapur që ne të bëjmë një dëgjesë tjetër bazuar në kërkesat e këtyre fondacioneve, por edhe përfaqësuesit të Be në Shqipëri. Ky është një vendim që do duhet të merret sot me votë”, tha Gjergji.
Petrit Vasili, Deputeti i Partisë së Lirisë, tha se përpara se projektligji të shqyrtohet nen për nen, duhet të dëgjohen të gjitha grupet e interesit. “Është ligj shumë i debatuar. Shterimi dhe dëgjimi i të gjithë aktorëve të interesit është me rëndësi. Ndjeshmëria është shumë e fortë për këtë projektligj. Është në detyrimin tonë të dëgjojmë të gjitha aktorët e interesit. Nuk është ligj i future me procedurë të përshpejtuar. Edhe votimi cili do të jetë, pro apo kundër do jetë më i motivuar. S’kemi asnjë detyrim as nga programi, as nga afatet ligjore. Ne po ecim në kohën më të shkurtër të mundshme. Ne kemi patur mbi 38 nisma që kanë kaluar mbi dy vite. S’është akt normativ, prandaj le ti konsumojmë të gjitha diskutimet. Nëse keni ndonjë detyrim tjetër, është gjë tjetër”, tha Vasili.
Deputetja e PS-së Klodiana Spahiu, u shpreh kundër kësaj ideje, duke argumentuar se grupet e interesit janë dëgjuar, ndërsa shtoi se propozuara e paraqitura nga delegacioni i BE janë reflektuar në aktin ligjor.
“Në fakt në fjalën tuaj, ju referuat se keni tre kërkesa për seanca dëgjimore. Në informacionin tonë, projektligji ka qenë prej dy javësh në platformë elektronike dhe grupet e interesit mund të jepnin opinionin e tyre. Kemi zbatuar rregulloren deri në fund. Kemi marrë opinionet e grupeve të interesit. Kemi dëgjuar dhe sugjerimet përkatëse. Ndoshta relatori mund të na thotë diçka më tepër mbi atë që ka kërkuar delegacioni i Bashkimit Europianë, pasi në në dijeninë tonë, në variantin e fundit janë pranuar të gjitha propozimet që ka bërë delegacioni i BE në lidhje me këtë projektligj.”, shton Spahiu.
Anila Denaj, Deputete e Partisë Socialiste, tha nga krahu tjetër se të gjitha procedurat janë ndjekur, madje projektligji ka qenë i hapur për konsultim publik gati një vit. “Proceduralisht komisioni sot duhet të vazhdojë me axhendën e miratuar më herët. Së pari, unë di që grupi i punës ka nisur punën që prej vitit 2020. Sot jemi në fazën finale. Ligjet kalojnë një proçes konsultimi publik. Pr/ligji ka ndenjur gati 1 vit në konsultim publik”, tha Denaj.
Petrit Vasili, i Partisë së Lirisë mori sërish fjalën, duke insistuar në faktin se duhen zhvilluar dëgjesat. “SE kuptoj përse nuk doni. Keni ndonjë frikë, cila është e keqja? Pse duhet të nxitohemi?” tha Vasili.
“Asnjë nuk është kundër. S’mund të bëhet sot për sot. Ne të gjithë këtu jemi zbatues të rregullave. Për çështjen BE, të marrim çdo pikë që ju thoni, por mos ti ngatërrojmë mes tyre. Ne s’po flasim për procedurë të përshpejtuar. Të ndjekim sipas rregullave çdo hap. Kërkesa e mbërritur ska ardhur në kohën e duhur dhe nuk është formale. Këtë element procedural, ta ktheni sikur ne s’duam të dëgjojmë, nuk qëndron”, tha Denaj.
Ilir Metaj, Deputet i PS dhe Relator i Çështjes garantoi se janë ndjekur të gjitha procedura. “Për këtë pr/ligj janë ndjekur të gjitha fazat e konsultimit. Jo vetëm me ekspertët kombëtar, por edhe ata ndërkombëtarë. Por edhe me grupet e interesit, por edhe me publikun e gjerë. Jo vetëm që janë ndjekur fazat e konsultimit, por secila prej tyre ka marrë kohën e duhur. Në respekt të punës së madhe që kanë bërë jo vetëm ministria, por edhe grupet e interesit. Për sa kemi ndjekur të gjitha hapat e duhur ligjor, për të respektuar çdo kënd, për të dhënë opinionin e tij, mendoj që të tërë kanë patur kohën e duhur për të shprehur opinionin e tyre. Nëse në momentin final shfaqen papritur tre grupe interesi, dhe pas këtyre dalin dhe tre të tjerë, pastaj dhe 5 të tjerë. Duhet të jemi më serioz, aq më tepër duke patur parasysh rëndësinë e këtij projektligji. Ne kemi bërë punën tonë. Jo vetëm në formulimin e këtij drafti ligjor, për të marrë më të mirën e duhur për eficencën e tregjeve shqiptare, në aspektin e kontrollit të territorit dhe në mbrojtje të shëndetit”, tha Metaj.
“Ne nuk nxitohemi, në fakt ne po vrapojmë, pasi kemi shumë punë për të bërë”, vijoi Metaj.
Zheni Gjergji shtoi se të vraposh kur në problemet me lëndët narkotike janë në raportet ndërkombëtare. “Ne jemi duke vepruar sipas kohës, por kemi kërkuar që ky projektligj, edhe pse prej një viti sipas jush i hedhur për konsultim publik, në kuvend është depozituar në fund të qershorit dhe në një kohë shumë shpejt kërkohet të çohet për votim në seancë plenare. Në opinion tonë, ky projektligj I hap rrugë korrupsioni, duke kërcënuar rendin social të këtij vendi.”, tha Gjergji, duke bërë thirrje për tu tërhequr nga miratimi i këtij ndryshimi ligjor.
Klodiana Spahiu, Deputete e Partisë Socialiste, kërkoi rikthimin e punës në komision tek rendi i ditës. “Padyshim duke qenë pjesë e opozitës, ju e keni dhënë opinionin tuaj në diskutimin në parim. Keni bërë dhe deklaratat politike. Ti rikthehemi rendit të ditës. Nëse s’kemi konsensus për rendin e ditës, hajde të kalojmë në votim. Duhet të kalojmë në rendin e ditës. Ne e kemi diskutuar në parim, kemi thënë qëndrimet tona politike dhe jo vetëm. Mos na riktheni në një debat që ska fund. Nëse s’kemi konsensus duhet ta hedhim në votim”, tha Spahiu, duke i’u përgjigjur Gjergjit.
Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë pas diskutimeve votoi për të vijuar me rendin e ditës, për shqyrtimin nen për nen të projektligjit. Kërkesa e opozitës për futjen në rend të ditës së tre dëgjesave u rrëzua nga mazhoranca.
Në fund të diskutimeve, Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, votoi vetëm me votat e mazhorancës miratimin nen për nen dhe në tërësi të ndryshimeve ligjore të projektligjit për kultivimin dhe tregtimin e kanabisit mjekësor. Tashmë drafti ligjor do të shqyrtohet në seancën plenare të të enjtes.
Fraksion.com