Hetimi ndaj Arben Ahmetajt, BKH kontrollon banesat në Gjirin e Lalëzit dhe në Tiranë
Në kuadër të hetimit për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetajt, GJKKO ka firmosur disa urdhër kontrolle. Burime për Report Tv bëjnë me dije se BKH (Byroja Kombëtare e Hetimit) po ushtron kontrolle në banesën e Arben Ahmetajt si dhe partneres së tij Erjola Hoxha në Gjirin e Lalëzit si dhe në Tiranë.
Krahas 3 banesave të kontrolluara më herët, vila në Hamallaj, vila në Palasë dhe apartamenti që ndodhet tek zona e Shallvareve në Tiranë, sot oficerët e BKH-së por kryejnë kontrolle edhe në banesa të tjera të ish-ministrit, të cilat nuk janë kontrolluar gjatë vendimit të mëparshëm, pasi Arben Ahmetaj ishte me imunitet.
Prokuroria e Posaçme iu drejtua GJKKO-së pak ditë më parë me kërkesën për masën e sigurisë ‘arrest me burg’ ndaj ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj të premten e 14 korrikut, pas votimit të kërkesës për heqjen e imunitetit në Kuvend.
Gjyqtari i gatshëm Erion Bani, ka marrë në dorë kërkesën e SPAK për ish-zv.kryeministrin e akuzuar për korrupsion pasiv në 6 raste, fshehje pasurie dhe pastrim të produkteve të veprës penale, zyrtari më i lartë i përballur ndonjëherë në Shqipëri me masën e arrestit. Burime jo zyrtare, thonë se në kërkesën e prokurorisë për masën e sigurisë, janë përfshirë edhe persona të tjerë përveç Ahmetajt.
Vëtë ish-ministri, sipas avokatit të tij Henrik Ligori, ndodhet pranë vajzës së tij në Angli dhe se do të vinte në Shqipëri kur të ketë liri. Më 14 korrik, 117 deputetë mes të cilëve edhe kryeministri Edi Rama votuan pro kërkesës së SPAK, ndërsa abstenuan Fatmir Mediu, Agron Duka dhe Vangjel Dule.
Para votimit, Ahmetaj publikoi në rrjetet sociale një mesazh të gjatë ku theksoi se do të luftojë për të vërtetën.
Sipas procedurës, pavarësisht se vetë Ahmetaj ka konfirmuar largimin nga vendi, pas vendimit të gjykatës, policia nis kërkimet brenda vendit për një afat 3 javor. Nëse i kërkuari nuk e gjendet brenda kufirit, atëherë Ahmetaj shpallet në kërkim ndërkombëtar dhe njoftohen të gjithë agjencitë ligjzbatuese partnere për lokalizimin dhe arrestimin e tij. Pavarësisht heqjes së imunitetit, ai vijon të jetë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa mandatin e humb nëse nuk paraqitet për 6 muaj në Kuvend.
SPAK po e heton ish ministrin Arben Ahmetaj, për tre akuza “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Bëhet fjalë një dosje voluminoze ku krahas Ahmetajt ka dhe persona të tjerë të përfshirë dhe nuk është çudi që SPAK të mund të kërkojë masa dhe për persona të tjerë, mes tyre dhe biznesmenë. Pak ditë më parë Kuvendi i hoqi mandatin Ahmetajt dhe i hapi rrugë arrestimit dhe kontrolleve të SPAK në banesat e tij.
Fraksion.com