Berisha: Rama në Kuvend t’i përgjigjet pyetjeve për Arben Ahmetajn
Në mungesë të ish-ministrit Arben Ahmetajt për të cilin po zhvillohet seanca e posaçme në Kuvend, Sali Berisha kërkoi që pyetjeve tu përgjigjet kryeministri Edi Rama.
Berisha: Në mungesë për shkak të arratisë së zëvendëskryeministrit, i cili duhet të ishte në këtë sallë për t’u përgjigjur pyetjeve, në respekt të parlamentit, në respekt të drejtësisë, në respekt të qytetarëve shqiptarë, unë propozoj që të gjitha pyetjeve t’u përgjigjet bosi i tij, Edi Rama.
Ndaj thirreni këtu t’i bëjmë pyetje.
(I ndërpritet fjala)
Nikolla: Nuk është procedurë kjo, nuk jemi këtu për shpifje, por të zbatuar rregulloren e kuvendit. Hajde zoti Berisha uluni në vend, nuk ka debate.
Kryeministri Edi Rama u largua në momentin që Sali Berisha ka marrë fjalën në foltoren e kuvendit.
Sot mbahet seancë e posaçme në Kuvend për heqjen e mandatit të ish zv. kryeministrit, Arben Ahmetaj, pasi Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit, SPAK i kërkoi disa ditë më parë dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-ministrit Arben Ahmetaj. Edhe pse ishte parashikuar për ditën e hënë PS pranoi kërkesën e opozitës që seanca të zhvillohej sot.
Fraksion.com