PD bllokon foltoren deri në votimin e kërkesës për arrestimin e Ahmetajt, Balla kërkon 5 minuta pushim. Ndërpritet seanca
Për më shumë se një orë Kuvendi është përfshirë nga debatet pas kërkesës së opozitës për të futur në rend të ditës kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj.
Maxhoranca nuk e ka pranuar kërkesën duke thënë se duhet të respektohet rregullorja e Kuvendit, që do të thotë se kërkesa do të diskutohet në seancën e të hënës.
Deputetët e PD-së bllokuan foltoren duke mos lënë të vijohet me rendin e ditës, ndërsa kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla kërkoi 5 minuta pushim deri në qetësimin e situatës.
“E di fare mirë që ju debat për zgjedhje nuk bëni dot se po shkoni nga humbja në humbje. Me qëllim rikthimin e seancës në normalitet i kërkoj kryetares së kuvendit 5 minuta pushim, deputetët të qetësohen dhe komisioneri Celibashi të bëhet gati”, tha Balla.
Para ndërprerjessë seancës, mes zhurmës dhe kundërshtisë se opozitës, është betuar deputeti i ri i Kuvendit Arkend Balla, i cili mori mandatin pas dorëheqjes së Rrahman Rrajas.
Fraksion.com