Për herë të fundit telefoni i Arben Ahmetajt pulsoi në Kanada; Këshilli i Mandateve mblidhet sërish sot
Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj është larguar nga Shqipëria para se Kuvendi të shqyrtojë kërkesën e SPAK për arrestimin e tij. Largimin e tij e ka konfirmuar avokati Henrik Ligori në mbledhjen e Këshillit të Mandateve që u mbajt një ditë më parë, 11 korrik 2023. Sipas Zërit të Amerikës, nga verifikimet e sinjalit të celularit të Ahmetajt, rezulton se momenti i fundit i vendndodhjes të ketë qenë Kanadaja. Dyshohet se Ahmetaj është larguar nga kufiri tokësor i vendit, drejt Greqisë pak orë përpara se sa Prokuroria t’i dërgonte parlamentit shkresën për arrestimin. Zëri i Amerikës shkruan se më pas Ahmetaj kishte prerë online një biletë avioni për në Itali, por që nuk e ka përdorur.
Këshilli i Mandateve do të mblidhet sërish sot në orën 16:00, pasi një ditë më parë mbledhja u shty me kërkesë të avokatit të Ahmetajt, i cili kërkoi më shumë kohë për të shqyrtuar dosjen prej 400 faqesh. Në mbledhje pati debate mes opozitës dhe mazhorancës, pasi PD kërkoi që mbledhja të mbahej me dyer të hapura. Kërkesa erdhi nga deputeti Ervin Salinaji por Ermonela Felaj refuzoi, në referim edhe të kërkesës së kreut të SPAK, Altin Dumani që kishte kërkuar ruajtjen e sekretit hetimor. Deputeti i opozitës, ka akuzuar Felajn për konflikt interesi, duke pretenduar se ajo është pjesë e dosjes hetimore të SPAK.
Debati vazhdoi deri në orën 17.00 kur Gazmend Bardhi ka përsëritur kërkesën ndaj Ermonela Felaj për seancë me dyer të hapura. Edhe Bardhi tha në mbledhjen e djeshme se Ahmetaj është larguar jashtë shtetit, duke pyetur kreun e SPAK nëse ka informacion ku ndodhet Ahmetaj, a është në Shqipëri apo ka ikur në Kanada, por nuk mori përgjigje. Më pas, sipas burimeve të PD, Bardhi pyeti nëse vila në Palase kishte lidhje me aferën e Unazës se Madhe. Prokurorët e SPAK, kanë folur vetëm për kërkesën për arrestimin e Ahmetajt, ndërsa kanë bërë me dije se detaje të tjera nga dosja nuk mund të japin për shkak të sekretit hetimor dhe personave të tjerë në hetim.
Pas shtyrjes së mbledhjes, kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi akuzoi mazhorancën se i dha kohë Ahmetajt që të largohej.
“Ai nuk ka ikur për tu arratisur por nuk dinin se ku kishte ikur dhe ku ndodhej në këtë moment. Mazhoranca vendosi që t’i japë kohë dhe u vendos që të shtyjë seanca për ditën e nesërme”, tha Bardhi.
Prokuroria e Posaçme i kërkon Kuvendit të hapë rrugën për arrestimin e ish zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, të cilin po e heton për tre akuza “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”
Bëhet fjalë për 400 faqe dosje ku krahas Ahmetajt ka dhe persona të tjerë të përfshirë dhe nuk është çudi që SPAK të mund të kërkojë masa dhe për persona të tjerë, mes tyre dhe biznesmenë.
Telefoni i ish bashkëshortes së Ahmetajt, ka qenë prova ‘bingo’ për prokurorët pasi në atë telefon janë zbërthyer mijëra mesazhe dhe telefonata që janë bërë dhe që prokuroria mbështet akuzat për të. Rezulton se nga data 21 korrik 2012 deri ne 10 tetor 2012, pra në gati tre muaj ka patur 138 komunikime telefonike dhe 3287 mesazh mes Ahmetaj dhe Mertirit.
Në kërkesën që SPAK ka dorëzuar në Kuvend ku argumenton pse kërkon ti hapet rruga për arrestimin e deputetit Ahmetaj, renditen veprimet për të cilat akuzohet ai kur ka pasur funksionet si ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtise dhe Sipërmarrjes e më pas si ministër i Financave, për t’i mundësuar biznesmenëve Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri lidhjen e kontratave koncensionare për tre impiantet e trajtimit të mbetjeve në Elbasan, Fier e Tiranë.
Fraksion.com