“Një ditë të mbarë nga Vilniusi”, Rama publikon foto nga mbrëmja në Pallatin Presidencial
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Vilnius të Lituanisë ku po merr pjesë në punimet e Samitit të NATO-s.
Rama ka publikuar në rrjetet sociale foto nga pritja e mbrëmshme në Pallatin Presidencial në Vilnius.
Gjatë kësaj mbrëmje, Kryeministri Rama shoqërohej edhe nga bashkëshortja e tij, Linda Rama të cilët kanë zhvilluar takime me liderë botërorë pjesëmarrës në këtë Samit.
Kreu i qeverisë shqiptare zhvilloi një ditë më parë një bashkëbisedim me Eksperten e Qendrës Europiane të Këshillit të Atlantikut, Rachel Rizzo.
Kryeministri është ndalur në situatën në Kosovë duke theksuar se vijimi i dialogut me Serbinë është jetik për sigurinë dhe paqen në rajon.
Sa i përket operacionit të policisë në kampin e muxhahedinëve në Manzë pak javë më parë, Rama është shprehur se “marrëveshja ishte e qartë se ata do të qëndronin në Shqipëri të ishin të sigurt dhe jo për ta kthyer Shqipërinë në një platformë politike për të sulmuar regjimin. Ne u prekëm nga sulmet kibernetike nga Irani. Po përpiqemi të bëjmë shumë të për forcuar sigurinë kibernetike”.
Çështja e Kosovës ishte në fokus edhe të takimit që Kryeministri Rama zhvilloi me delegacionin e senatorëve amerikanë në Samitin e Vilnius.
“Teksa lehtësimi i dialogut të BE-së punon me të dyja palët, me Beogradin dhe Prishtinën, ka një palë të tretë që është duke u ngritur, grupet ekstreme në veriun e Kosovës që kanë krijuar parajsa për aktivitetet kriminale, trafik droge e trafik armësh. Veriu i Kosovës mund të kthehet në një vatër zjarri. Është koha të realizohet ky dialog i lehtësuar nga BE-ja, me një qëndrim më të fortë të NATO-s nëpërmjet KFOR”.
Fraksion.com