SPAK kërkesë Kuvendit për arrestimin e Arben Ahmetajt
Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, SPAK ka dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë kërkesën për arrestimin e ish-ministrit të Financave, Arben Ahmetaj.
Në Kuvend ka mbërritur kërkesa drejtuar Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla e firmosur nga drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, për vendosjen e masën së sigurisë dhe për të ushtruar kontroll në shtëpinë deputetit.
Që të ekzekutohet kjo kërkesë do duhet që të jepet leja nga Kuvendi, ndërsa pritet edhe mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, që të shqyrtohet kërkesa për heqjen e mandatit të deputetit dhe më pas të kalohet në seancë plenare.
Dumani në shkresë kërkon që mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin të zhvillohet me dyer të mbyllura për të ruajtur sekretin hetimor, duke qenë se hetimet vazhdojnë në drejtim edhe të fakteve të tjera penale apo personave të tjerë të implikuar.
Në një njoftim të SPAK thuhet se, “Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar proçedimin penal Nr. 277/1 të vitit 2022 për veprat penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” , “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar respektivisht nga nenet 257/a, 260, 245, 287 të K.Penal.
Mbështetur në nenin 73 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenin 288 të K.Pr.Penale, si dhe në Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, nenet 13 dhe 118, në kuadrin e procedimit penal të mësipërm, ka paraqitur kërkesën për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal dhe të banesës së deputetit: Arben Ahmetaj, i biri i Nevruz dhe i Ferdane, datëlindja 28.06.1969, lindur në Gjirokastër, me nr personal G90628061Q.
Ky shtetas, rezulton se ka marrë cilësinë e personit nën hetim, në kuadrin e procedimit penal nr. 277/1 të vitit 2022, pasi dyshohet se ka kryer veprat penale të: “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, vetëm dhe në bashkëpunim, në formën e deklarimit të rremë, dhe në formën e fshehjes, parashikuar nga neni 257/a paragrafi i dytë, neni 25 i K.Penal,
“Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i K.Penal, 6 (gjashtë) herë;
“Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i K.Penal.
Fraksion.com