AktualitetOp-EdTë fundit

Aleanca: Askush nuk duhet të rrezikojë një tjetër konflikt në Evropë 

Nga Mimoza Golikja

 

NATO thekson nevojën për de-përshkallëzimin për siguri të qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor

Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Operacionet, Tom Goffus, përsëriti përkushtimin e palëkundur të NATO-s për të promovuar stabilitetin rajonal gjatë vizitës së tij në Kosovë më 5 korrik 2023. Z. Goffus u takua me përfaqësues të institucioneve në Kosovë, si dhe me komandantin e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe përfaqësues të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare.

“Është urgjente që si Prishtina ashtu edhe Beogradi të ndërmarrin hapa të menjëhershëm drejt de-përshkallëzimit,  është gjithashtu thelbësore që të dyja palët të koordinojnë siç duhet veprimet në terren dhe të respektojnë marrëveshjet ekzistuese,” tha ai. “Ndërsa KFOR-i është i domosdoshëm në mjedisin e vazhdueshëm, zgjidhja për stabilitet të qëndrueshëm është një zgjidhje politike. Është kritike që Kosova dhe Serbia të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që sa më shpejt të jetë e mundur dhe në tërësi të zbatojnë Marrëveshjen Themelore dhe Aneksin e Zbatimit të saj të rënë dakord në Ohër”, tha ai. “Misioni ynë i KFOR-it vazhdon të ofrojë një mjedis të mbrojtur dhe të sigurt në Kosovë në përputhje me mandatin tonë, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999”, tha ai.

 Askush nuk duhet të rrezikojë një tjetër konflikt në Evropë 

  “Jam këtu në Prishtinë për të theksuar përkushtimin e palëkundur të NATO-s për një rajon paqësor dhe stabil të Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor.”, tha që në hyrje të deklatatës së tij zyrtari i lartë, Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Operacionet, Tom Goffus, të mërkurën e 5 korrikut  2023.

Pavarësisht thirrjeve të përsëritura nga NATO dhe komuniteti më i gjerë ndërkombëtar si për Beogradin ashtu edhe për Prishtinën, “ne nuk kemi parë asnjë përparim drejt de-përshkallëzimit” dhe “ kjo rrezikon mbrojtjen dhe sigurinë e të gjithë njerëzve në Kosovë, si dhe atë të personelit të NATO-s.”, tha z. Goffus.

“Gratë dhe burrat e misionit tonë të KFOR-it kanë qenë në detyrë ditë e natë, për shumë vite, larg vendeve të tyre dhe familjeve të tyre, për të siguruar një mjedis të mbrojtur dhe të sigurt këtu në Kosovë.  Këta janë të njëjtët burra dhe gra që më 29 maj pësuan sulme të paprovokuara dhe të papranueshme, duke lënë 93 prej tyre të plagosur, disa prej tyre rëndë.”. Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se ky është numri më i madh i viktimave të KFOR-it në një ditë të vetme që nga viti 1999. “Kjo është absolutisht e papranueshme dhe nuk mund të ndodhë më. NATO ua ka bërë të qartë këtë qëndrim edhe autoriteteve serbe. Narrativat e rreme rreth rolit të KFOR-it janë gjithashtu të papranueshme.”, tha ai.

Zyrtari i lartë i NATO-s  tha që Prishtina dhe Beogradi të ndërmarrin hapa drejt çtensionimit. “Është urgjente që si Prishtina ashtu edhe Beogradi të ndërmarrin hapa të menjëhershëm drejt de-përshkallëzimit, në përputhje me planin trepikësh të BE-së. Është gjithashtu thelbësore që të dyja palët të koordinojnë siç duhet veprimet në terren dhe të respektojnë marrëveshjet ekzistuese.”, tha Goffus.

Bashkëpunimi në kohë dhe kuptimplotë është i një rëndësie kyçe, tha ai, “siç e kam theksuar edhe në takimet e mia të sotme”. Bashkëpunimi efektiv është mënyra se si Kosova demonstron se mund të jetë një partner efektiv i sigurisë për NATO-n. “Fatkeqësisht, ne kemi parë një rënie në koordinimin tonë praktik dhe politik. Kjo bie ndesh me aspiratat euroatlantike të popullit kosovar. Unë gjithashtu kam ndarë pritshmërinë time më të fortë se të gjitha marrëveshjet me NATO-n do të respektohen dhe zbatohen. Kjo është thelbësore për të siguruar që bashkëpunimi i fortë ndërmjet NATO-s dhe institucioneve në Kosovë të mos prishet.”.

Misioni i KFOR-it vazhdon të ofrojë një mjedis të mbrojtur dhe të sigurt në Kosovë në përputhje me mandatin bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999. “Unë vizitova paqeruajtësit tanë në veri, duke përfshirë batalionin rezervë operacional të dislokuar në fillim të këtij muaji si rezultat për shqetësimet e shtuara të NATO-s për sigurinë dhe stabilitetin.

Ushtarët e KFOR-it po bëjnë një punë të jashtëzakonshme.”, tha Z Goffus. Ato kanë dëshmuar  se janë të domosdoshëm, tha ai,  e sidomos që nga viti i kaluar e në vazhdim, teksa po merren  me këtë cikël tensioni dhe krize.  KFOR-i do të vazhdojnë të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të zbatuar mandatin e tij në mënyrë të paanshme. “Ata mbeten të gatshëm të ndërhyjnë nëse situata e kërkon”.

Ndërsa KFOR-i ka dëshmuar se “është thelbësor” në këtë mjedis, zgjidhja për stabilitet të qëndrueshëm është një zgjidhje politike, theksoi Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm. “Është kritike që Kosova dhe Serbia të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të zbatojnë sa më shpejt dhe në tërësi Marrëveshjen Themelore dhe Aneksin e Zbatimit të saj të rënë dakord në Ohër [OKH-RIT].”, specifikoi ai.

“Ky është një moment kritik për sigurinë në kontinentin tonë. Rusia ka rikthyer luftën në Evropë me pushtimin e saj të paligjshëm të Ukrainës. Populli i Kosovës dhe i gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor e di shumë mirë koston e tmerrshme të luftës. Askush nuk duhet të rrezikojë një tjetër konflikt në Evropë që do të minonte paqen dhe stabilitetin e fituar me një sakrificë të tillë. Faleminderit.”, mbylli deklatatën e tij Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për operacionet.

Beogradi dhe Prishtina të angazhohen në mirëbesim në dialog

NATO është deklaruar për situatën në Kosovë. Aleanca ka dënuar fuqishëm sulmet e paprovokuara kundër trupave të KFOR-it në veri të Kosovës, të cilat kanë çuar në plagosjen e një numri prej tyre. “Sulme të tilla janë krejtësisht të papranueshme. Dhuna duhet të ndalet menjëherë”, tha edhe në deklaratën e saj NATO më 29 maj 2023 për sulmet e paprovokuara kundër trupave të KFOR-it. “Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga veprimet që nxisin më tej tensionet dhe të angazhohen në dialog. KFOR-i do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të mbrojtur dhe të sigurt dhe do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme, në përputhje me mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999.”.

Duke vletësuar situatën Aleanca vendosi të shtojë prezencën në mision. Përforcimet shtesë  të  NATO-s filluan të mbërrijnë në Kosovë më 5 qershor 2023, pas dhunës së paprovokuar dhe të papranueshme që la pothuajse 40 trupa paqeruajtëse të KFOR-it të plagosur në përleshjet  një javë më parë. Rreth 500 pjesëtarë të shërbimit turk nga brigada e 65-të e mekanizuar e këmbësorisë së Turqisë përbënin pjesën më të madhe të përforcimeve të NATO-s. Batalioni u vendos në Kosovë “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”. Një batalion shtesë i forcave rezervë të NATO-s është vënë gjithashtu në gatishmëri më të lartë për t’u vendosur nëse është e nevojshme.

Pas bisedimeve me Presidentin Recep Tayyip Erdogan në Stamboll gjatë atyre ditëve, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg falënderoi Turqinë për dërgimin e përforcimeve në Kosovë. Ai tha se “Turqia është një aleate e rëndësishme dhe shumë e vlerësuar, duke dhënë kontribute kyçe në NATO. Këtu përfshihen trupat për misionin tonë paqeruajtës në Kosovë, gjë që është edhe më e rëndësishme tani, kur tensionet janë të larta. Falënderoj Turqinë për dërgimin e përforcimeve në veri të Kosovës, pas trazirave të fundit.”., tha ai.

Edhe në takimin e fundit  jozyrtar të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Oslo, Sekretari i Përgjithshëm i dërgoi një mesazh  si Beogradit edhe Prishtiës. “Mesazhi ynë si për Beogradin ashtu edhe për Prishtinën është se ata duhet të angazhohen në mirëbesim në dialogun e lehtësuar nga BE; kjo është e vetmja rrugë drejt paqes. Në të njëjtën kohë, NATO ka përgjegjësi për të siguruar stabilitet në Kosovë dhe kjo është arsyeja pse ne kemi qenë atje për shumë vite dhe pse tani po rrisim praninë tonë në rajon”.

NATO ka udhëhequr operacionin paqeruajtës në Kosovë që nga viti 1999 në mbështetje të përpjekjeve ndërkombëtare për të ndërtuar stabilitet në rajon. Misioni i KFOR-it është të ruajë një mjedis të mbrojtur  dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. KFOR-i aktualisht përbëhet nga mbi 4,500 trupa të kontribuar nga 27 aleatë dhe partnerë të NATO-s./Ushtria

 

Farksion.com