AktualitetKosovaPolitikëTë fundit

Rama firmos “13 marrëveshjet” dhe ia nis Kurtit: Presim konfirmimin e takimit!

Pas refuzimit të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, që të mirëpresë kreun e qeverisë shqiptare në Prishtinë, me kushtin se duhet të zhvillojnë mbledhjen e dy qeverive të anuluar më 13 qershor, ka reaguar Edi Rama.

Kryeministri Rama në një përgjigje në rrjetet sociale thotë se sot në mëngjes i ka dorëzuar ministrisë së Jashtme të Kosovës të 13 marrëveshjet e mbledhjes së dy qeverive të firmosura nga qeveria shqiptare. Sipas kryeministrit Rama me firmosjen e palës kosovare, marrëveshjet hyjnë menjëherë në fuqi.

Në një postim në twitter, Rama shprehet se “sot në mëngjes janë dorëzuar në Ministrinë e Jashtme në Kosovë të 13 marrëveshjet e mbledhjes së dy qeverive të firmosura nga ana jonë”.

“Me kundërfirmosjen e palës kosovare ato hyjnë menjëherë në fuqi. Mbetem me shpresë se pas heqjes së merakut të shprehur publikisht nga Kryeministri Kurti për qytetarët e penguar të përfitojnë nga 13 marrëveshjet, do të kemi edhe konfirmimin e takimit me Albinin sot pasdite”, thekson Rama.

Kryeministri Kurti deklaroi dje se me Kryeministrin Rama pret që të takohet vetëm në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive për të firmosur marrëveshjet dhe jo në rrethana të tjera.

 

Fraksion.com